Qyteti i Homsit shndërrohet në ferr

29/02/2012 20:45

Ushtria siriane ka hyrë përmes tokës në lagjen Baba Amër, në Homs, me detyrën për të spastruar të gjithë zonën. Lajmi pohohet nga burime pranë qeverisë siriane, të cituara nga televizioni satelitor “Al Jazeera”.

Shkalla e operacionit mbetet e paqartë. Raportime të tilla nuk mund të konfirmohen, sepse në këtë zonë nuk ka më gazetarë.

Ata u vunë në shënjestër nga forcat e regjimit ditë më parë. Qeveria siriane thotë se po spastron bandat e armatosura dhe terroristët.

Një prej aktivistëve që ndodhet në Homs i tha agjencisë “Reuters” më herët se këmbësoria po lëviz drejt stadiumit të futbollit “Al Basel”, në veri të Baba Amër dhe atje po zhvillohet një betejë e vërtetë, ku dëgjohen të shtëna armësh.

Një tjeter aktivist i tha BBC se janë rreth 400 luftëtarë të Ushtrisë së Lirisë Siriane, që janë zotuar se do të luftojnë deri në fund. Të gjitha komunikimet me Homsin janë ndërprerë.

Gjithçka po ndodh pason raportimet për qarkullimin e një projekt/rezolute, të hartuar nga SHBA dhe Franca, e cila bën thirrje për fundin e dhunës dhe dërgimin e ekipeve të ndihmës.

Përmes saj synohet të merret miratimi i Kinës dhe Rusisë, që i vendosen veto rezolutës së mëparshme. Pekini ka dëshmuar se do të mbështesë hapat që krijojnë kushte për të dërguar në Siri ndihmë humanitare.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm sirian, Valid Mo Uallem iu drejtua zyrtarisht sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon për të qartësuar misionin që iu ngarkua Kofi Anan, të dërguarit special të OKB-së dhe Ligës Arabe në Siri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA