Netanjahu në SHBA për Iranin

29/02/2012 00:00

Beniamin Netanjahu javën e ardhshme mbërrin në Uashington për një takim me Barack Obamën dhe sipas të përditshmes më të vjetër të shtetit hebre, Haaretz, ftohja e vënë re kohët e fundit në marrëdheniet mes tyre nuk do ta pengojë shefin e ekzekutivit izraelit të paraqesë pretendimin e shndërruar në boshtin e këtij takimi: Shtetet e Bashkuara ta kërcënojnë hapur Iranin me ndërhyrje ushtarake.

Tel Avivi kërkon nga shefi i Shtëpisë së Bardhë deklarata më të qarta se sa pohimi i mjegullt “të gjitha mundësitë janë në tryezë”, citon gazeta një zyrtar izraelit që ka preferuar të ruajë anonimatin.

Ajo cfarë Netaniahu do të kërkojë në mënyrë të vecantë është që Amerika të përgatitet për një operacion ushtarak në rast se Republika Islamike i kalon disa “vija të kuqe të caktuara”. Izraeli është i bindur se presioni mbi Teheranin do të rritej ndjeshëm nëse i bëhet e qartë se kërcënimi i Uashingtonit është real.

Në të dy krahët, zyrtarët e pranojnë mungesën e theksuar të besimit përsa i takon një sulmi të mundshëm mbi facilitetet bërthamore iraniane. Përgatitje intensive po kryhen që takimi mes dy liderëve të rezultojë një sukses e të sheshojë më në fund hendekun e krijuar.

Shtëpia e Bardhë propozoi të dilet me një deklaratë të përbashket, ku të prezantohet një front i vetëm amerikano-izraelit në lidhje me Iranin. Sipas të njëjtit burim, mungesa reciproke e besimit ka ushqyer edhe ndjenjat e secilës palë se ana tjetër po ndërhyn në politikat e saj të brendshme.

Netaniahu dyshon se administrata amerikane po përpiqet ta kthejë opinionin publik izraelit kundër sulmit mbi Iranin, ndërsa zyrtarë të qeverisë në Shtetet e Bashkuara mendojnë se Netaniahu po përdor kongresin dhe kandidatët republikanë në garën për nominim, për të ushtruar presion mbi Obamën, në mënyrë që të pajtohet me ndërhyrjen ushtarake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA