Krenaria e prapambetjes

29/02/2012 00:00

Aleksandër Çipa – Në ditën kur ka detyrimin për një ndjesë publike, për një ndjesë e cila nuk mund të ezaurojë asgjë, politikani më i vjetër i skenës, Kryeministri aktual Berisha, vë në zhurmë protagonizmin e vet, atë të akuzuesit.

E ka një alibi të gatshme për çdo vonesë që përkon me mandatin e vet qeverisës, e ka një alibi të përhershme për çdo humbje kalendari apo premtimi politik, qoftë kjo edhe e ripërsëritur, siç është humbja e shansit për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE. Serbia ishte vendi i fundit ballkanik që e fiton sot këtë mundësi. Tashmë kemi mbetur ne (Shqipëria) dhe Maqedonia. Një ortakëri prapambetëse e shëmtuar, madje e pakrahasuar dhe që si të vetmen vlerë që ka, është riciklimi i historisë disajavore jo e pate fajin ti, jo s’e pata unë! Pas monologut me pyetje në mes, të kryeministrit dje, do të pasojnë disa ditë me sulme dhe oratori opozitarësh konstatues. Vendi do të ribjerë në monotoninë e zhurmshme të politikëbërësve akuzues dhe polemizues, duke u rifituar edhe një herë mundësia për të evituar dhe eklipsuar alarmin për problemet e rënda të ekonomisë, të krizës dhe të shkulmeve ndikuese që vjen nga kriza greke dhe italiane. Një tramundanë e vërtetë efektesh ekonomike dhe sociale nga dy fqinjët tanë, po lihen në harresë dhe injorohen, duke u shtirur si “kështjella” që s’kanë ç’na bëjnë murlanet…

Kryeministri Berisha, në konferencën e djeshme për shtyp, para gazetarëve, përdori gjuhën e tij klasike. Një sulmues dhe fajshpërndarës i pashoq. Përgjegjësia për humbjen e shansit të statusit për herë të tretë është e opozitës dhe pinjollit të ish-Bllokut, Edi Ramës. Vetëm ai ia doli ta bllokojë vendin në këtë histori të ripërsëritur, ku kryeministër gjendet Berisha(!).

Një demagogji të tillë, fatkeqësisht jo me kundërshtarin, por me publikun, vetëm politikani tranzicionist Berisha mund ta mbajë në funksion 20-vjeçar. Kjo është një ironi tipike tranzicionisti, e cila si e tillë bëhet edhe më e keqe, kur mendon se parathotë riciklimin e një marrëdhënieje të ndenjur politike në realitetin shqiptar. Dhe sipas të gjitha gjasave, me këtë mekanizëm të vjetër politikëbërës, zoti Berisha “ia del të peshkojë” opozitën. Zoti Rama nisi t’i përgjigjet me formën e vet jo populiste të “Tëitter”-it, për çdo pikë të akuzës së tij disaorëshe para gazetarëve. Një zezo-dialog mes kryeministrit dhe kreut të opozitës, një detaj tjetër i absurdit shqiptar në këtë skenë dhe me këta protagonistë.

Ky është aktrimi skandaloz i udhëheqësisë që fsheh pasojën dhe imazhin real që përcjell Shqipëria pas skualifikimeve të tilla, ku si argument zyrtar i Brukselit rivihet pohimi i plotësimit të 12 kritereve, të lëna në kalenda, së pari prej qeverisë dhe së dyti, prej opozitës në këtë vend. Kryefajtori akuzues, në daljen e djeshme publike tenton demagogjikisht të prishë rendin e përgjegjësisë, madje merr paskrupullsisht iniciativën të bëjë edhe gjykatësin për këtë shpërfillje klasifikuese që dëshmon Brukseli zyrtar. Madje cinizmi shkon edhe më tej, duke marrë përsipër të bëhet ai përcaktues i afatit për herë të katërt, që Shqipëria në 2013 të ketë shans për ta fituar statusin. Në fakt ky është pohim matanë çdo cinizmi, kjo është fyerja më e madhe e inteligjencës së qytetarëve të një vendi që aspiron të qenit vend europian. Ky protagonizëm që gjeneron vetëm krenarinë e prapambetjes do të alarmonte dhe fyente deri në palcë, çdo shoqëri normale, çdo shoqëri që mbart një përqindje dinjiteti dhe sidomos përgjegjësi për pasardhësit dhe gjeneratat e saj të reja. Kjo krenari prapambetjeje është një ekzekutore shumëplanëshe e disa prej elementeve bazike që do të duhej të dallonin një shoqëri demokratike. Por tashmë ne e kemi pranuar se nuk e kemi më të tillë as shoqërinë dhe as konstruktin funksional të sistemit.

Politika e tranzicionit, por sidomos primati i saj tranzicionist, zoti Berisha, na kanë dhënë provën e vetme të parakalimit të çdokujt dhe prej gjithkujt. Merita e vetme dominante nëpër gjithë këtë epokë 20- vjeçare mbetet ajo e lëvdimit vetëm me lëvizjen nëpër udhëtime si të fundit. Këtë krenari prapambetëse, po e zbatojmë në Shqipëri, identikisht si në kohë komuniste, ndonëse ajo kohë zyrtarisht ka vdekur që në krye të viteve ‘90.

Por problemi bëhet edhe më serioz kur kjo vetërenditje e përgjegjësisë së pandier, lihet në fuqi prej vetë shoqërisë së lodhur dhe të zhgënjyer dhe prej alternativave të mundshme. Është ankthi publik i cili ka mbërthyer çdo qytetar të shumicës dhe që favorizon vetëm kastën anarkike, e cila ka edhe atribute uzurpatoreje. Në vend vërtet qeverisin numrat, por nuk po administrohet përgjegjësia. Madje ajo ka dalë prej kohësh jashtë kontrolli, për arsye se të dyja korpuset politike të demokracisë kanë devijuar nga modeli funksionues i demokracisë institucionale. Opozita konstatuese nuk ngrihet në rolin natyral të llogarikërkueses kushtetuese. Krejt spektri politik duket se angazhohet në një aksion kulisash për numra parlamentarë dhe jo në një lëvizje negocimesh për kreun e ri të shtetit. Kërkohet konsensus, por nuk është investuar ende një model apo imazh për profilin real konsensual. Edhe për këtë gjetje që do t’i nënshtrohet votimit, nuk po dilet nga paradhoma e keqe e kulisave. Vini re, Shqipëria humbet për herë të tretë mundësinë e fitimit të statusit për kandidat në BE dhe në godinën qeverisëse, askush nuk kërkon minimumi një ndjesë, në Parlament, nuk del një deputet të bëjë një pohim faljekërkimi dhe jo më të mendohet si në vendet e bashkësisë, për një dorëheqje apo akt tjetër reagues. Në këtë mënyrë Shqipëria përsërit historinë e vet tribale, ku dështimi konvertohet në qëndresë, në akuzë dhe fajësim matanë vetes dhe ku krenaria e prapambetjes lartëson modelin e protagonistit të saj. Për ironi të këtij fati, ky protagonist i servir publikut cinikisht, pasazhin e intelektualit më të adhuruar, atij që me të drejtë klasifikohet si kalibri më i lartë shpotitës i sojit dhe genit tonë, Konicës. “Armiku më i madh i Shqipërisë, janë shqiptarët!”.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel