Reporterja franceze Edith Bouvier e plagosur pas sulmit të ushtrisë siriane në Homs, ndodhet aktualisht në Liban.
Presidenti francez Nikola Sarkozi foli disa orë pasi u konfirmua se edhe fotoreporteri britanik Pol Konrej ndodhej në vendin fqinj me Sirinë. Deklarata e tij per vendndodhjen e gazetares duket se i ka dhënë fund konfuzionit që zgjaste prej 24 orësh, mbi fatin e gazetares, megjithëse nuk ka një konfirmim të drejtpërdrejtë nga Libani.
Sic raportohet, gazetarët u ndihmuan nga forcat opozitare për tu larguar nga Homsi. Buvje dhe Konrej u plagosën gjatë sulmit ku humbën jetën Marie Colvin dhe Remi Ochlik.
Gjysmëhena e kuqe siriane, deklaroi se kishte mbërritur të hënën në lagjen Baba Amer, por nuk kishte qënë në gjëndje të nxirrte që andej gazetarët perëndimorë dhe trupat e kolegëve të vrarë, për të cilët nuk dihet asgjë.
Mëngjesin e së martës u mësua se Konrej kishte mbërritur në Liban, me ndihmën e opozitës siriane. Përfaqësuesit e saj shpjeguan se si ai ishte nxjerrë jashtë lagjes Baba Amër të hënën, më pas kishte përshkruar disa fshatra për të mbërritur në kufirin me Libanin, gjatë natës.
Gjatë nje video mesazhi të postuar disa ditë më parë, Konrej tregoi se kishte marrë tre plagë të mëdha në këmbë dhe ishte kuruar nga stafi mjekësor i Ushtrisë së Lirë Siriane. Ndërsa plagët e Buvje ishin më të rënda. Ajo kishte pësuar frakturë të këmbës.
Grupimi i Aktivistëve “Komitetet e Koordinimit Lokal” shpjegoi në faqen e Facebook-ut se Buvje dhe gazetarët e tjerë të huaj kishin refuzuar të largoheshin nga Homsi derisa regjimi i Sirisë t’u garantonte se fotografitë dhe gjithcka që kishin filmuar nuk do të konfiskohej. Por këto komente, nuk kanë gjetur një konfirmim të pavarur.
Qeveria siriane e ka zgjeruar ofensivën kundër kryengritësve në të gjithë vendin, duke dërguar ushtarë për herë të parë, në disa qytete në veri. Të paktën 125 persona u vranë në të gjithe vendin të hënën, shumë prej tyre në Homs dhe 60 të martën sipas Komiteteve te Koordinimit Lokal. Prej nisjes së protestave në mars të vitit të kaluar, sipas OKB-së kanë humbur jetën 7500 persona.
Shefja e të Drejtave të Njeriut në OKB, Navi Pilai gjatë një mbledhje urgjente në Gjenevë, tha se në Siri po kryen masakra ndaj civilëve, të cilëve u ndalohet ushqimi, uji apo ndihma mjekësore.
Top Channel