Argjentina bojkoton produktet britanike

29/02/2012 14:50

Firmave argjentinase i është kërkuar që të bojkotojnë mallrat britanike, ndërsa tensionet për ishujt Falkland vazhdojnë të rriten.

Ministrja e Industrisë, Debora Giorgi, i komunikoi 20 kompanive kryesore në vend që të marrin masa për të blerë lëndën e parë që aktualisht e sigurojnë nga Britania e Madhe në vende të tjera.

Ajo gjithashtu i kërkoi kompanive që të ndërpresin sa më shpejt çdo marrëdhënie tregëtare me kompanitë britanike.

Ndonëse dy vende të largëta dhe në konflikt për ishujt e quajtur në spanjisht Malvinas, shkëmbimet tregëtare kishin njohur rritje prej 40% vetëm në 2011-n, vit i mbyllur me një bilanc tregëtar prej 402 milionë stërlinash.

Një burim pranë Ministres së Industrisë u shpreh në mediat argjentinase: “Qëllimi ynë është që të reduktojmë defiçitin tregëtar me Britaninë e Madhe dhe të vendosim marrëdhënie bisnesi me shtetet që respektojnë tërësinë tonë territoriale”.

Përshkallëzimi i tensioneve për ishujt Falkland ka hyrë në një spirale të rrëezikshme pasi disa vende të Amerikës së Jugut, përkrahën nismën argjentinase për të bllokuar të gjitha mjetet lundruese me flamurin e Falkland që kërkonin të hynin në portet latine.

Kësaj nisme, Britania iu përgjigj me militarizimin e ishullit, ku është dërguar edhe Princi William. Buenos Aires dërgoi si rrjedhojë në OKB një ankesë zyrtare më parë gjatë shkurtit, ndërsa shpalli bojkot edhe ndaj anijeve me flamur britanik.

Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810 së bashku me ishujt Malvinas, por Perandoria Britanike i pushtoi në vitin 1833 dhe që prej atëherë, të ripagëzuar në Falklands, ishujt i përkasin kurorës së Mbretëreshës.

Në vitin 1982, Argjentina u përpoq të rikthente sovranitetin argjentinas duke pushtuar ishullin, por Britania shpalli luftë dhe brenda tre muajsh, rifitoi ishujt, në një luftë që i kushtoi jetën mbi një mijë ushtarëve dhe civilëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA