Ofensiva e ushtrisë siriane është zhvendosur në provincën Idlib, në veri-perëndim të vendit. Trupat po përdorin artilerinë, mortajat dhe anti-ajrorët. Të pakten 46 persona humbën jetën në të gjithë vendin, gjashtë në Idlib, 22 në Homs dhe disa të tjerë në periferi të kryeqytetit Damask.
Qytetet e Sarminit, Maarat al Numan dhe Binish të provincës Idlib, të kontrolluar nga forcat kundërshtarë të rregjimit, u goditën të hënën nga ushtria siriane.
Korrespondenti i BBC-se, në veri të Sirisë tha se banorët e Binishit, që javën e kaluar ishte nën kontrollin e Ushtrisë së Lirisë Siriane dhe Ushtrisë Clirimtare u zgjuan të hënën nga goditjet e artilerisë, në shënjestër të tyre ishin zonat e banuara nga civile dhe jo pozicionet e kryengritësve.
Ofensiva e trupave vazhdon në qytetin e Homsit. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq e përshkroi situatën humanitare në lagjen e Baba Amer si të tmerrshme. Zëdhënësi i këtij organizmi në Gjenevë shpjegoi se kanë nisur negociatat me autoritetet siriane dhe opozitën, për më shpërnguljen e të gjithë personave në nevojë.
Televizioni shtetëror i Sirisë publikoi rezultatin e referendumit për Kushtetutën e Re, proces që për opozitën dhe perëndimin është një farsë. Të paktën 89 % e popullsisë mbështesin propozimin, ndërsa pjesëmarrja në këtë proces ishte 57 %.
Ndërsa shtypja e kryengritjes vazhdon në Siri, Bashkimi Europian vendosi të tjera sanksione, ku perfshihet: a) ngrirja e aseteve europiane në bankën Qëndrore; B) ndalim udhëtimi për shtatë këshilltarët e afërt të Bashar Al Asad; c) ndalimin e avionëve kargo nga Siria në BE dhe d) kufizime në tregëtinë e arit dhe metaleve të cmueshme.
Në një zhvillim tjetër diplomatik, Pekini i cilësoi kritikat e Uashingtonit për veton e Kinës dhe Rusisë si arrogante. Në gazetën zyrtare të Partisë Komuniste Kineze përmes një komenti, thuhej se SHBA nuk ka të drejtë të flasë për popujt arabë, pas eksperiencës në Irak. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton e cilësoi veton si një akt të përcmueshëm, ndërkohë që në Siri po vriten njerëz.
Top Channel