Siri, gazetarët në vatrën e sulmit

28/02/2012 00:00

Fotoreporteri i plagosur britanik, Paul Conroy është evakuar nga qyteti i rrethuar i Homsit dhe sipas diplomatëve, tani ndodhet jashtë Sirisë.

Aktualisht gazetarja Edith Bouvoir ndodhet ende në Siri. Më herët ajo kishte refuzuar të largohej, duke detyruar edhe kolegët të qendronin me të në shenjë solidariteti.

Bouvier ka njerën këmbë të thyer në disa vende dhe duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Bashkeshortja e Conroy-t pati sqaruar më herët se i shoqi kishte pasur edhe një rast tjetër të largohej nga Homsi me punonjësit e Gjysmë-Hënës së Kuqe, por ishte këshilluar të mos e bënte, sepse personat në fjalë nuk konsideroheshin të besuar.

BBC thotë se fotoreporteri britanik, i plagosur me cifla predhe në këmbë dhe bark, u arrit të nxirrej nga lagjja e bombarduar prej ditësh Baba Amr, në sajë të ndihmës së opozitës siriane dhe luftëtarëve të Ushtrisë së Lirë Siriane.

Forcat siriane kanë ndërmarrë sakaq të tjera sulme mbi një sërë qytetesh të vendit, dhe viktimat e ofensivës së re janë me dhjetëra. Komiteti i Koordinimit Lokal, grupi i aktivistëve që organizon e dokumenton protestat, flet për 125 të vdekur anembanë Sirisë, por për këtë nuk ka një verifikim të pavarur.

Ndërsa represioni qeveritar në Siri është forcuar, Bashkimi Europian vendosi mbi Damaskun të tjera sanksione, të cilat përfshijnë ngrirjen e aseteve të Bankës Qendrore siriane në Europë, ndalimin e udhëtimit për bashkëpunëtorët e Assadit, ndalimin e fluturimeve tregtare nga Siria për në BE, si dhe kufizime të tregtisë së arit dhe metaleve të tjera të cmuara.

Nga Gjeneva, këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut apeloi për armëpushim të menjëhershëm dhe kryekomisionerja, Navi Pillay përmendi raportet mbi fushatën e dhunshme të trupave siriane që po privon civilët nga ushqimet, uji dhe furnizimi me ilace.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA