Sarkozy: Ligj i ri për genocidin armen

28/02/2012 21:15

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, urdhëroi qeverinë e tij që të hartojë një ligj të ri që mohon mosnjohjen e genocidit armen, pasi Gjykata e Lartë hodhi poshtë ligjin e miratuar në të dy dhomat e Parlamentit Francez.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, ligji i mbështetur nga Sarkozy binte ndesh me të drejtën e shprehjes, një prej të drejtave kryesore të sanksionuara në kushtetutë.

Ligji i hedhur poshtë kriminalizonte mohimin e genocidit armen nga Perandoria Osmane, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe ndëshkonte të gjithë ata që e bënin këtë me gjobë deri 45 mijë euro ose një vit burgim.

Miratimi i ligjit dëmtoi rëndë marrëdhëniet midis Parisit dhe Ankarasë zyrtare, me Turqinë që tërhoqi përkohësisht ambasadorin e saj dhe që shpalli disa sanksione të njëanshme ekonomike.

Duke shprehur “keqardhjen e thellë” për të gjithë ata ligjvënës që mbështetën ligjin, Sarkozy shkroi në një deklaratë zyrtare: “Presidenti i Republikës konsideron se mohimi i genocidit është i patolerueshëm dhe si rrjedhojë duhet të ndëshkohet. Si rrjedhojë, brenda fuqisë që më lejon ligji, i kam kërkuar qeverisë që të përgatisë një projektligj të ri, i cili merr parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese”.

Çështja e genocidit armen është një “mollë sherri” shekullore midis Turqisë dhe Armenisë. Këta të fundit kërkojnë njohjen e masakrës së dytë më të madhe të historisë, ku 1,5 milionë civilë armenë u vranë nga ushtarët e Perandorisë Osmane.

Nga tjetër, Turqia e vendos shifrën e armenëve të vrarë në 300 mijë, ndërsa argumenton se nuk pati asnjë genocid, por vetëm viktima si pjesë e Luftës së Parë Botërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA