Për të vënë në zbatim masat e propozuara për të stimuluar rritjen ekonomike ka mbërritur momenti i së vërtetës dhe i vendimeve konkrete.
Kështu ka deklaruar presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, në një letër drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian, në kuadër të samitit të së premtes.
Por apeli i zotit Barroso ka shkuar dëm, pasi samiti mes liderëve të eurozonës është anuluar, lajm ky që është bërë i ditur nga burime evropiane.
Hipotezë për dështimin e takimit është bërë rezistenca e Gjermanisë për të diskutuar mbi fuqizimin e fondit të shpëtimit të vendeve të Bashkimit Evropian.
“Samiti i eurozonës nuk është thirrur kurrë, por është e vërtetë që ekzistonte hipoteza se ai mund të mblidhej. Megjithatë, tani kjo hipotezë ka rënë”, ka deklaruar një zyrtar i BE-së.
“Diskutimi mbi fondin e shpëtimit të shteteve dhe fuqizimin e tij do të bëhet brenda muajit mars, me siguri në nivel ministrash të eurogrupit”, ka saktësuar zyrtari.
Sipas tij, momenti i vetëm i parashikuar mes 17 liderëve të zonës euro është ai i së enjtes mbrëma, ku do të emërohet Herman van Rompuy president i Eurosamitit.
Përveç presidentit të Eurosamitit, që është formati që do të mbledhë krerët e shteteve dhe qeverive të zonës së monedhës së përbashkët dy herë në vit, Van Rompuy do të konfirmohet edhe për një mandat si president i BE-së.
Deri tani është konfirmuar mbledhja në nivel ministrash të Financave ditën e enjte, për të diskutuar mbi implementimin e marrëveshjes prej 130 miliardë eurosh për Greqinë.
Top Channel