Francë, Hollande: Më shumë taksa për të pasurit

28/02/2012 16:40

Favoriti për të fituar zgjedhjet presidenciale në Francë, Francois Hollande, deklaroi se më të pasurit duhet të paguajnë deri 75% të të ardhurave të tyre në teksa, ndërsa vizitoi disa ferma gjatë një panairi të agrikulturës, ditën e martë.

“Të gjithë ata që kanë të ardhura mbi një milion euro, duhet të paguajnë deri 75% për shtetin, pasi është e pamundur të kesh fitime të tilla kur milion francëzë kanë vështirë për të mbyllur muajin”, deklaroi kandidati socialist.

Duke folur përpara një televizioni kombëtar, Hollande premtoi se nëse do të zgjidhet, do të ndryshojë menjëherë sistemin e taksave të vendosura në fuqi nga qeveria e Sarkozy.

Sidoqoftë, propozimet e tij janë përballur me kritika të ashpra nga kundërshtarët politikë dhe nisma jopopullore, ka ndikuar në favor të Sarkozy, diferenca e të cilit me Hollande është reduktuar, sipas sondazheve të fundit.

Hollande dhe Sarkozy pritet të përballen “kokë më kokë” në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë në datën 6 maj, pasi të eliminojnë rivalët e tjerë në raundin e parë në 22 prill.

Taksat për të pasurit janë shndërruar në një prej debateve kryesore të fushatës zgjedhore. Sipas ekspertëve financiarë, rritja e taksave për këtë klasë të shoqërisë mund të shkaktonte një eksod të milionerëve drejt Zvicrës, një vend me taksa shumë të ulta dhe kjo do të dëmonte rëndë financat e “Elysse”.

Aktualisht, shumë prej personave të famshëm në Francë kanë zgjedhur të jetojnë jashtë vendit, pikërisht për taksave të mëdha që duhet të paguajnë edhe në bazë të sistemit fiskal aktual.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA