Çmontohet kampi i lëvizjes Pushtoni Londrën

28/02/2012 09:05

Forcat e policisë kanë hequr tendat e ngritura në kampin e aktivistëve të lëvizjes Pushtoni Londrën në Katedralen St Paul, të kryeqytetit britanik.

Operacioni, që filloi vetëm pak pas mesnatës, ishte në tërësi paqësor, por u shqoërua me arrestimin e 20 personave.

Javën e kaluar, lëvizjes Pushtoni Londrën iu refuzua leja për të apeluar kundër vendimit të Gjykatës së Lartë për dëbimin e protestuesve. Lëvizja e kishte ngritur kampin e saj më 15 tetor.

Protestuesit në sheshin jashtë katedrales theksuan se aksioni i tyre ishte ende larg përfundimit, por shumica e tyre nuk u bënë rezistencë agjentëve të policisë dhe lëvizën çadrat dhe pajisje të tjera.

Disa prej tyre sfiduan policinë duke ngritur struktura të përkohshme në sheshin jashtë katedrales, por më pas platformat u çmontuan.

Gjykata e Lartë vendosi se vendimi i Korporatës së Qytetit të Londrës për të shpërnguluar kampin ishte ligjor dhe i justifikueshëm. Korporata e Qytetit të Londrës u udhëzua të vepronte me urdhëra dhe vendime gjyqësore për të lëvizur kampin.

Ndërkohë, policia ka hequr gjitashtu një tjetër kamp të lëvizjes Pushtoni Londrën, të vendosur në Featherstone Street, në Ajlington, në veri të Londrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA