Plani për vrasjen e Putin

27/02/2012 10:00

Shërbimet Sekrete Ukrainase konfirmuan ditën e hënë se kanë neutralizuar një plan për vrasjen e Kryeministrit të Rusisë, Vladimir Putin.

Lajmin e bëri të ditur agjensia ruse “Ria Novosti”, e cila citoi burime “të sigurta” brenda inteligjencës ukrainase. Dy të dyshuar u vendosën në pranga në qytetin port të Odesës.

Të dy u shfaqën në një sekuencë të shkurtër televizive në televizionet ruse, në të cilën pranonin akuzat e ngritura ndaj tyre. Ngjarja vjen në javën përpara se të mbahen zgjedhjet presidenciale, në të cilat Putin është favorit për të fituar një mandat të tretë në krye të Kremlinit.

Njëri prej atentatorëve, i identifikuar si Ilya Pyanzin, pranoi se ishte paguar nga lideri i militantëve çeçenë, Doku Umarov, për të realizuar planin. i arrestuari i dytë quhet Adam Osmayev, në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2007.

Atentatorët synonin të vendosnin disa bomba në bulevardin Kutuzovski në Moskë, në të cilin Putin kalon në mënyrë të përditshme gjatë rrugës nga banesa e tij në zyrë. Më pas, nëpërmjet një telekomande ata do të realizonin shpërthimin në momentin e kalimit të 59-vjeçarit.

Lajmi është konfirmuar edhe nga zyra e shtypit të Kryeministrisë Ruse, por zëdhënësi shtoi se nuk ka asnjë koment për të bërë për momentin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA