Kina reagoi ashpër ndaj disa komenteve të bëra nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, mbi Sirinë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Pekin i konsideroi komentet si “të papranueshme”, ndërsa e cilësoi sjelljen e Uashingtonit si “super arrogante”.
Clinton deklaroi të premten se vetoja kineze dhe ruse kundër rezolutës së masave ndaj regjimit të Damaskut ishte “e vajtueshme”. Deklarata e saj u bë nga Tunizia, ku amerikanët udhëhiqnin konferencën e “Miqve të Sirisë”, një takim ndërkombëtar i propozuar nga vendet arabe, që synonte të rrisë presionin mbi Damaskun.
“Motivet që shtyjnë amerikanët të bëjnë një paradë si gjoja mbrojtësit e vendeve arabe nuk janë të vështira të imagjinohen. Nga ana jonë, pyesim vetem se mbi çfarë bazash morale Uashingtoni i jep vetes rolin e një superprotektori dhe këtë e bën me një superego e superarrogancë në drejtim të komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë, Hong Lei.
“Edhe sot, në Irak nuk ka kurrfarë sigurie dhe garancie për jetën. Vetëm ky fakt duhet të na bëjë të vendosim në pikëpyetje të madhe sinqeritetin dhe efikasitetin e politikës ndërkombëtare amerikane”.
Kritika e ashpër e superfuqisë aziatike erdhi një ditë pasi Siria mbajti një referendum mbi ndryshimet kushtetuese, pavarësisht trazirave në të cilat është e përfshirë.
Nëse do të mbështetet nga shumica, referendumi do të fusë në vend një sistem multipartiak, por opozita ka kundërshtuar planet, duke thënë se garancia e vetme për pushimin e dhunës që i ka marrë jetën mijëra personave është largimi i presidentit Al-Assad nga pushteti.
Top Channel