G20 kërkon më shumë nga Eurozona

27/02/2012 08:20

Vendet e Eurozonës duhet të vendosin më shumë para në fondin e tyre të shpëtimit, përpara se vendet e G20-s të ndërhyjnë për t’i ndihmuar, deklaruan Ministrat e Financave të organizmit që grupon 20 shtetet më të zhvilluara të botës.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e vendeve europiane e vlerësuan si “thelbësore” për të ardhmen e ekonomisë botërore që Fondi Monetar Ndërkombëtar të ndërhyjë për të ndihmuar kontinentin.

Më parë gjatë muajit, liderat e Eurozonës ranë dakord të formonin një fond të përhershëm prej 500 miliardë eurosh. Megjithatë, ekzistojnë shqetësime se fondi mund të mos jetë i mjaftueshëm për të shpëtuar vendet që mund të mos jenë në gjendje të përballojnë koston e borxhit të tyre.

“Përpara se liderat e botës të vijnë në ndihmë të Eurozonës, janë vendet e këtij grupi ato që duhet të bëjnë pjesën e tyre dhe të paguajnë të parat. E thënë troç, kjo nuk ka ndodhur deri tani”, deklaroi Ministri Britanik i Financave, George Osborne. “Deri në momentin që do të formohet ky fund, është e qartë që FMN ose Britania nuk mund të hyjnë në aventurë”.

Një rritje e mëtejshme e shumës së përbashkët për shpëtimin e vendeve që përdorin monedhën e përbashkët euro do të vendoste një presion më të madh mbi ekonomitë kryesore të kontinentit, veçanërisht Gjermaninë.

Deri tani, Berlini zyrtar i ka rezistuar thirrjeve për rritjen e sasisë së fondit të shpëtimit, ndërsa ka dërguar sinjale të paqartë rreth qëllimeve të tij në lidhje me këtë çështje.

“Një prej leksioneve që ka nxjerrë kjo krizë është se sa më shumë që të presim, aq më e rëndë do të bëhet kostoja”, deklaroi Komisioneri Europian për Ekonominë dhe çështjet Monetare, Olli Rehn.

Më parë gjatë shkurtit, vlerësimi maksimal i kreditimit për Francën u reduktua, pikërisht për shkak të kredive të këqija të akorduara nga bankat e vendit, veçanërisht për Greqinë dhe sipas ekspertëve, Gjermania nuk është e gatshme të përjetojë të njëjtën situatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA