Kryeministrja e Australisë, Julia Gillard, fitoi në zgjedhjet brenda partisë përballë kundërshtarit të saj kryesor, Kevin Rudd.
Gillard, e cila mposhti Rudd në qershor 2010, fitoi me 71 vota përballë 31, në zgjedhjet nga të cilat varej edhe fati i saj në krye të shtetit-kontinent.
Korrespondentët thonë se rezultati përbën një inkurajim madhor për një lidere që është përballur me ndarje të thella të brendshme së fundmi.
Duke folur pas votimit, Rudd u shpreh se do të mbështesë Kryeministren në programin e saj. Gillard do të jetë e detyruar të kryejë ndryshime në kabinetin e saj, pasi Rudd dha dorëheqjen nga pozicioni i tij si Ministër i Jashtëm, përpara se të sfidonte Gillard.
Duke folur për mediat pasi i mbijetoi votëbesimit, Gillard falenderoi kolegët e saj për mbështetjen e fuqishme, ndërsa shprehu bindjen se do të vazhdojë të udhëheqë Partinë Laburiste deri në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2013.
“Jam e kënaqur që çështja e udhëheqjes së partisë është e mbyllur tashmë dhe do të mund të përqendrohem në problemet e rëndësishme të vendit”, deklaroi Gillard, në të njëjtën kohë që vlerësoi fushatën e kryer nga ana e Rudd, për të cilin njëkohësisht siguroi që do të vazhdojë të mbetet një figurë kyçe në radhët e laburistëve.
Top Channel