Afganistan, sulm kamikaz në aeroport

27/02/2012 00:00

Vala e reagimeve ekstreme që ka shkaktuar në Afganistan djegia e librave të Kuranit vazhdon duke i shtuar episodeve të dhunshme një sulm kamikaz në aeroportin e Jalalabadit, në lindje të vendit.

9 është bilanci i vdekjeve e 10 të plagosurit. Autoritetet nuk patën probleme me gjetjen e personave përgjegjës: talebanët dolën pas shpërthimit me një deklaratë ku pohonin se ishte vepër e tyre dhe një formë shpagimi për incidentin e librave të shenjtë në bazën amerikane të Bagramit.

Sado që ushtria amerikane tentoi të shfajësohet duke thënë se djegia kishte qenë e paqëllimshme, reagimet kanë qenë të ashpra. Më shumë se 30 vetë janë vrarë brenda pesë ditësh dhe episodi i aeroportit tregon qartë se spiralja e dhunës është ende larg fashitjes. Presidenti Hamid Karzai bëri thirrje për qetësi duke e dënuar ashpër gjestin e ushtarëve amerikanë dhe mënyrën e trajtimit të Kuranit.

“Por tani që i shprehëm ndjenjat tona është koha për t`u treguar paqësorë e të vetëpërmbajtur”, tha kreu i shtetit afgan.

Aeroporti i shënjestruar i Jalalabadit shërben si për avionët civilë ashtu dhe për ata ndërkombëtare ushtarake, por NATO njoftoi se nuk ka ushtarë të saj mes viktimave. Autoritetet afgane vazhdojnë ndërkohë ndjekjen e oficerit 25 të shërbimeve sekrete, i dyshuari kryesor për vrasjen e dy oficerëve amerikanë në ambjentet e Ministrisë së Brendshme në Kabul.

Të dielën, Franca dhe Gjermania ndoqën shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë e tërhoqën të gjithë stafin civil nga institucionet qeveritare afgane.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA