Drejtuesi i trenit të përplasur në Argjentinë, aksident ku humbën jetën 51 persona ditën e mërkurë, fajësoi një defekt në frena dhe neglizhencën e atyre që duhet të kujdesesshin për sigurinë e mjetit.
Mbi 700 persona mbetën të plagosur, pasi treni tejkaloi një stacion në Buenos Aires dhe u përplas në përfundimin e shinave.
Sipas mediave argjentinase, shoferi, i cili i mbijetoi aksidentit në mënyrë të pabesueshme, kishte raportuar disa herë për probleme me frenat, por i ishte thënë që të vazhdonte rrugën.
Megjithatë, zyrtarisht nuk jepet ende asnjë version për ngjarjen. 28-vjeçari Marcos Cordoba, makinisti i trenit, është duke u kuruar në një spital, ku njëkohësisht është vendosur nën arrest për akuzën që në kodin penal argjentinas klasifikohet “shkaktim i pavullnetshëm dëmesh”.
Sipas “Noticias Argentinas”, lokomotiva kishte shfaqur që në fillim probleme me sistemin e saj të frenimit, por pavarësisht se shoferi bëri detyrën dhe raportoi për situatën në çdo stacion që ndalonte, atij i përsëritej gjatë të gjithë kohës që të vazhdonte rrugën.
Testimet e gjakut treguan se Cordoba nuk kishte konsumuar alkool apo substanca narkotike në momentin kur ndodhi aksidenti.
Aksidenti i ditës së mërkurë është më i rëndi në hekurudhat argjentinase që prej vitit 1970, kur dy trena u përplasën me shpejtësi të lartë në periferi të Buenos Airesit, duke shkaktuar 200 të vdekur.
Top Channel