Spanjë, dhëndri i mbretit në gjykatë

25/02/2012 13:55

Dhëndri i mbretit Juan Carlos të Spanjës, Inaki Urdangarin, dukë i Palmës, ka mbërritur paraditen e së shtunës në gjykatën e Palma de Maiorka për t’u marrë në pyetje lidhur me një çështje korrupsioni.

Urdangarin ka mbërritur në këmbë në gjykatë, ku e prisnin dhjetra gazetarë e telekamera, si dhe një turmë e vogël manifestuesish republikanë e të pavarur.

Ish-kampioni olimpik i hendbollit është anëtari i parë i familjes mbretërore që hetohet dhe merret në pyetje nga një gjyqtar, shkruajnë agjencitë e huaja të lajmeve.

“Jam këtu për të treguar pafajësinë time dhe për të mbrojtur nderin tim”, u tha gazetarëve bashkëshorti i Cristina, e bija më e vogël e mbretit Juan Carlos.

Urdangarin, që aktualisht jeton me familjen në Uashington, akuzohet se ka përvetësuar shuma të mëdha parash publike, të ardhura nga fondacioni NOOS, të cilin e ka drejtuar nga viti 2004 në 2006.

Skandali i Urdangarin, që është i papreçedent për monarkinë spanjolle, ka pushtuar të shtunën faqet e para të gazetave spanjolle, të mëdha e të vogla.

Ish-atleti, i kthyer në dukë të Palmës pas martesës së vitit 1997, vendosi të përshkonte në këmbë, i shoqëruar nga avokati i tij, 35 metrat e mbetur të rrugës për në gjykatë, siç është edhe rregulli për të pandehurit.

Ai hoqi dorë nga trajtimi i veçantë që i ishte dhënë nga gjyqtari, i cili për arsye sigurie e kishte autorizuar të mbërrinte me makinë deri tek porta e gjykatës.

Ai është pritur me vërshëllimat dhe kontestimet e rreth 300 protestuesve, të cilët mbanin parulla me shkrimin “Monarki-Korrupsion” dhe që këndonin “Kujdes portofolin, po vjen princi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA