SHBA, “Tregtari i Vdekjes” del nga izolimi

25/02/2012 08:45

Një gjyqtar në Nju Jork ka urdhëruar autoritetet që trafikanti rus i armëve Viktor Bout të transferohet nga qelia e izolimit ku ai ka kaluar 15 muaj.

Gjyqtarja Shira Scheindlin deklaroi se Bout nuk përbën rrezik për të dënuarit e tjerë dhe se për rrjedhojë transferimi i tij është i mundshëm.

Bout, i njohur ndryshe me pseudonimin “Tregtari i Vdekjes”, u arrestua në Tajlandë në mars të vitit 2008, si pjesë e një operacioni sekret të qeverisë amerikane.

Ai u dënua në nëntor për faktin se ishte përpjekur t’i shiste armë grupit të majtë të guerrilasve kolumbianë, FARK.

Ai është mbajtur në qeli izolimi në burgun metropolitan të Manhatanit, por gjyqtarja Scheindlin deklaroi se nuk ka gjasa që Bout të ketë lidhje me terroristët apo të organizojë akte dhune në burg.

Ajo tha gjithashtu se kushtet e rënda të burgimit kishin qenë të ekzagjeruara dhe se Bout ishte i rrezikshëm vetëm si një biznesmen i përfshirë në trafikun e armëve.

Korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se vendimi është një ndërhyrje e veçantë ndaj subjektit, për të cilin normalisht duhet të vendosin autoritetet e burgut.

Por avokati i Bout, Albert Dayan deklaroi se vendimi ishte një pohim se sistemi federal i burgjeve në Nju Jork lidhet me vlerësimet humane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA