Shërbimet sekrete të Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara, ISI dhe CIA, kanë arritur një marrëveshje për të rifilluar operacionet e avionëve të telekomanduar në territoret tribale pakistaneze, në kufi me Afganistanin.
Lajmin e bën të ditur gazeta indiane “The Hindu”, sipas të cilës marrëveshja është arritur muajin e kaluar, pas një ndërprerjeje prej gjashtë javësh të operacioneve të dronëve.
Duke cituar “burime të besueshme”, gazeta shkruan se marrëveshja u përfundua nga shefi i Inter Services Intelligence, Shuja Ahmad Pasha dhe homologu i tij David Petraeus.
Ndërkohë, autoritetet pakistaneze u kanë drejtuar një apel guerrilasve talebanë dhe grupeve të tjera të armatosura, që të marrin pjesë në proçesin e paqes të nisur nga presidenti afgan Hamid Karzai.
Kryeministri Yousuf Raza Gilani ka deklaruar se, “dëshiroj t’iu bëj një apel krerëve të talebanëve dhe atyre të të gjitha grupeve të tjera afgane, që të marrin pjesë në proçesin ndër-afgan për paqen”.
Në fillim të muajit ministrja e Jashtme e Pakistanit përgënjeshtroi spekulimet se vendi i saj është duke zhvilluar bisedime të fshehta me talebanët.
Bisedimet e supozuara, sipas mediave, ishin në përgjigje të një raporti sekret të NATO-s, që fliste për takime midis militantëve dhe zyrtarëve të lartë të Islamabadit.
Raporti në fjalë, i publikuar nga BBC, tregonte se talebanët në Afganistan kanë ndihmë direkte nga shërbimet sekrete pakistaneze.
Top Channel