Përleshje në Bolivi

25/02/2012 00:00

Pesë persona me aftësi të kufizuar kanë hyrë në grevë urie në qytetin La Paz të Bolivisë, një ditë pasi policia i ndaloi bashkë me dhjetëra të tjerë si ata të protestonin përpara ndërtesës së qeverisë.

Gati një mijë protestues, shumica e të cilëve në karrike invalidësh, u përpoqën të mblidheshin në sheshin Murillo me një kërkesë për ta jetike: pagesa mujore më të larta.

Ata paguhen me 145 dollarë në muaj, por kërkojnë gati 5 herë më shumë, 695 dollarë, aq sa qeveria u jep të verbërve.

“Nuk kërkojmë favore, pretendojmë vetëm të drejtën që na takon. U kërkojmë të miratojnë ligjin që kanë hartuar e që ka mbetur në letër, kaq duam. U përpoqëm gjithashtu të shkonim në sheshin Murillo, i cili i përket të gjithë bolivianëve, por nuk na lejuan”, deklaroi një protestues.

Protestuesit e nisën marshimin e tyre më 15 nëntor në qytetin lindor të Trinidadit dhe përshkuan gati 1.750 km, për t’u përballur në La Paz me kordonët e policisë, që nuk ngurruan të përleshen me ta edhe në kushtet që janë.

“Kur erdhëm të paraqisnim kërkesat tona, pas një marshimi 100 ditor, po na prisnin këtu për të na rrahur, për të na shtypur, për të larguar dhunshëm të afërmit që na ndihmuan. Na trajtuan si kriminelë”, tha më tej protestuesi.

Një nga pretendimet e protestuesve është se presidenti Evo Morales nuk i është bindur ligjit që lejon fonde me vlerë 6 milionë dollarë çdo vit për personat më aftësi të kufizuar, para të cilat nuk i kanë marrë kurrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA