Biznesmeni britanik ekstradohet në SHBA

25/02/2012 09:15

Një biznesmen britanik i ekstraduar të premten në Shtetet e Bashkuara, pasi dyshohet se i ka shitur Iranit bateri raketash, është marrë në dorëzim nga autoritetet pasi ka mbërritur në Teksas.

Biznesmeni Christopher Tappin, 65 vjeç, mbërriti në Huston pasi ishte nisur nga aeroporti londinez i Heathrow. Ai do të shfaqet para trupit gjykues ditën e hënë në El Paso.

Dan Cogdell, avokat i zotit Tappin në Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar se do të kërkojë me insistim që klienti i tij të lirohet kundrejt garancisë financiare.

“Nuk ka arsye të bazuara që të mendohet se ai mund të arratiset apo të përbëjë rrezik. Ai është një biznesmen i respektuar që nuk ka asnjë të dhënë kriminale”, ka thënë Cogdell.

Tappin, nga Orpingtoni, në jug të Londrës, ka luftuar kundër ekstradimit në gjykatat britanike pasi u akuzua në Amerikë për organizim të eksportit të baterive që do të përdoreshin për raketat mbrojtëse të tipit “Hawk”.

Ai rrezikon të dënohet me 35 vjet burg, por thotë se është viktimë e një kurthi. Gjyqtarët britanikë deklarojnë se ekstradimi i tij ishte i ligjshëm dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, ka refuzuar të ndërhyjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA