Kryqi i Kuq ka arritur të depërtojë në qytetin e bombarduar sirian të Homsit dhe ka nisur bisedimet për evakuimin e të plagosurve, bëjnë të ditur autoritetet ndërkombëtare.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe një mision arab kanë mbërritur në lagjen periferike Baba Amr, e cila ka qenë shënjestër e bombardimeve të mëdha.
Gazetarë të plagosur ka mes personave që presin të shpëtohen, por Kryqi i Kuq deklaron se dëshiron të evakuojë të gjithë personat në nevojë.
Lajmi vjen në një moment kur në Tunizi po zhvillohet një konferencë e madhe për të ndihmuar aksesin e misioneve humanitare.
Delegatë nga 70 vende të ndryshme të botës janë mbledhur me qëllim për të rritur presionin mbi presidentin Bashar al Assad, duke kërkuar një armëpushim dhe lejimin e ndihmave humanitare në zonat më të prekura.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi në konferencë se qeveria siriane do të ketë më shumë gjak në duart e saj nëse nuk do të gjehet rruga për shpëtimin e jetëve.
Megjithatë, konferenca ka miratuar një vendim që pranon Këshillin Kombëtar Sirian si autoritetin e vetëm të besueshëm të vendit.
Kryqi i Kuq deklaron gjithashtu se është në bisedime me autoritetet siriane dhe eksponentë të opozitës për të mundësuar dërgimin e të plagosurve në një vend të sigurtë.
Top Channel