Orët e fundit të gazetarëve në Siri

24/02/2012 00:00

Një foto tregon momentet e fundit të fotoreporterit francez Remi Oshlik, përpara se të binte viktimë e sulmit me mortaja në qytetin e Homsit në Siri.

Në videon e regjistruar të mërkurën më 22 shkurt, e siguruar nga agjensia Reuters, Oshlik duket i buzëqeshur, ndërsa bisedon me luftëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane. Njëri prej tyre mundi të marrë trupat e tyre të pajetë e t’i mbështjellë me qefin, pas bombardimit të lagjes Baba Amër, ku humbën jetën Oshlik dhe gazetarja e “Sunday Times”, Marie Colvin.

“I mbështollëm me qefin, po ishim nën vezhgim. U goditëm katër herë përpara. Kudo që shkonim goditeshim me predha, në fund, arritëm t’i mbështetjellim trupat dhe t’i ruanim në një vend të sigurt, derisa t’ia dorëzonim vendit të tyre dhe familjeve”, deklaroi një luftëtar i qendresës siriane.

Pamjet e filmuara nga kryengritësit sirianë tregojnë edhe fotoreporterin Pol Conroy, kolegun e Colvin në gazeten britanike “Sunday Times”, disa momente pasi ndodhi sulmi. Ndërsa mjekohej nga një doktor për plagët, ai tregoi;

“Kur nisën bombardimet, nuk mbaj mend shumë pas kësaj, pati disa goditje shumë pranë nesh dhe më pas u goditëm. U plagosa në këmbë. Mendoj që kolegia ime Marie Colvin ka vdekur, edhe Remi po ashtu, për aq sa di. Nuk di shumë për momentin. Është e gjitha, që mund të kujtoj”.

Kur u pyet nëse ushtria siriane i kishte vënë në shënjestër qëllimisht gazetarët, Conroy shprehu dyshim.

“Jo. Mendoj se ata po qëllonin civilët. Ishim pjesë e një panorame më të gjërë. Kishin vënë në shënjestër civile prej 18 a 20 ditësh. Ishim të pafat”, tha ai.

Colvin dhe Oshlik ishin ndër 80 personat e vrarë në bombardime atë ditë. Një ditë pas sulmit, gazetarët e huaj të plagosur në Homs kërkuan armëpushim për t’u shpërngulur dhe për të marrë ndihmën mjekësore.

Gazetarja franceze Edit Buvje dhe Conroy, përmes një videoje kërkuan të shpërnguleshin, ndërsa në sfond dëgjohej zhurma e lëshimit të predhave. Ata ishin dy prej gjashtë gazetarëve që u vunë në shënjestër të mërkurën, kur trupat siriane sulmuan ndërtesën ku ata ndodheshin në Baba Amër, qendra e kryengritësve në qytetin e Homsit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA