Një konferencë për shtyp për krizën financiare botërore në sauna. Në qendër të saj është komisioneri për Çështjet Ekonomike, Oli Rehn, i cili ftoi gjashtë prej gazetarëve më të njohur, vetëm meshkuj, në saunën e institucionit në Bruksel, ku shpesh zyrtarët shkojnë për t’u shplodhur apo për të larguar streset e ditës.
Ngjarja ka vënë jo pak në siklet kryeqendrën e Europës, jo vetëm për vendin e zgjedhur por edhe për llojin e ftesës. Rehn kishte rënë dakort që takimi i tij me gazetarët të ishte i rezervuar, për të folur vetëm për krizën financiare.
Salla e shtypit të Brukselit, me një mijë gazetarë të akredituar konsiderohet si një nga më të mëdhatë në botë. Por sekreti nuk mund të zgjaste. Oli Rehn pyetet me shaka nga gazetaret femra se kur mund të ftohen edhe ato në të tilla konferenca për shtyp.
Rehn përgjigjet: “Kam takime të rregullta me gazetarët për çështje të ndryshme dhe kërkoj të zgjeroj këto takime, sipas mënyrave dhe kohës që më lejohet”.
Shumë gazetarë pyetën për takimin në sauna dhe nëse ekziston një kod veshjesh. Zëdhënësi spanjoll i komisionerit Rehn, i vënë në siklet, tha se nuk është e nevojshme t’i shtojmë detaje të tjera këtij argumenti, sepse të gjithë i njohin zakonet finlandeze.
Përgjatë dekadave, Finlanda e ka përdorur saunën si një armë diplomatike, madje takimet e rëndësishme politike apo të biznesit, përfundonin me marrëveshje në dhomat e avullit. Pas përfshirjes së gruas në politikë, gratë dhe burrat nuk hyjnë bashkë në sauna.
Top Channel