Agjencia e OKB për energjinë atomike deklaron se ka shqetësime serioze për dimensionet ushtarake që mund të marrë programi bërthamor iranian.
Në raportin e saj të fundit, ANEB deklaron se bisedimet e kësaj jave në Teheran dështuan për të sqaruar çështje që kanë të bëjnë mbi programin në fjalë.
Raporti thotë gjithashtu se Irani ka instaluar 2 mijë centrifuga boshe në impiantin e pasurimit të uraniumit të Fordos. Perëndimi dyshon se Irani po përpiqet të ndërtojë armën bërthamore, akuzë kjo që mohoet me ngulm nga regjimi i Teheranit.
Raporti i ANEB u publikua dy ditë pasi autoritetet iraniane refuzuan një kërkesë të bërë nga inspektorët për të vizituar impiantin ushtarak të Parkinit, në jug të Teheranit.
Në nëntor, një raport tjetër i ANEB, i bazuar në informacione “të besueshme”, tregonte se Irani në vitin 2000 kishte ndërtuar enë të posaçme për ruajtjen e eksplozivit, me qëllim që të kryente eksperimente hidrodinamike.
“Këto eksperimente, që përfshijnë kombinimin e eksplozivit me materialin bërthamor ose materiale të ngjashme me të, ishin tregues të fortë për ndërtimin e një armatimi të mundshëm bërthamor”, thoshte raporti.
ANEB thoshte gjithashtu se kishte “prova të forta” se zhvillimi i sistemit të prodhimit të eksploziveve në Iran dhe eksperimente të tjera ishin asistuar nga ekspertë të huaj.
Top Channel