Shtypi serb ka ironizuar sot premierën e shfaqur të enjten në Beograd të filmit të Angelina Jolie mbi tmerret e luftës në Bosnje, një film i konsideruar tërësisht “armiqësor” dhe “anti-serb”.
Komentet e mediave erdhën pasi prodhimi kinematografik u ndoq mbrëmjen e djeshme jo më shumë se nga 40 persona, në katër salla të ndryshme kinemash të Beogradit.
“Në vendin e pesë spektatorëve” ka qenë titulli i së përditshmes më të madhe beogradase “Press”, e cila ka vënë në lojë titullin e filmit të Jolie, “Në tokën e gjakut dhe mjaltit”.
“Bëmë mirë që luajtëm poker. Në premierën e filmit në sallë ndodheshin vetëm pesë persona. Dhe më shumë se pesë persona ky produksion nuk meriton”, shkruan më tej gazeta, që ka publikuar edhe një foto të sallës pothuajse boshe.
Më tej, “Press” shprehet e ashpër mbi paragjykimet anti-serbe që ka filmi. Këtë sipas gazetës e mendojnë edhe shumica e opinionit publik serb, duke qenë se filmi denoncon dhunimin në masë të grave myslimane gjatë luftës në Bosnje.
Top Channel