Gazetarja franceze e plagosur gjatë njërit prej sulmeve mbi qytetin e rrethuar sirian të Homs-it, kërkon të evakuohet sa më parë nga Siria për shkak se sic thotë, ka nevojë urgjente për asistence mjekësore të specializuar.
Edith Bouvier u plagos gjatë sulmit që i mori jetën të mërkurën dy reporterëve veteranë të konflikteve në lindjen e mesme, Marie Colvin dhe Remi Ochlik. Në një video të postuar online nga aktivistët e opozitës, Bouvier thotë se e ka njërën këmbë të thyer dhe duhet t’i nënshtrohet sa më shpejt një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“Përshëndetje, jam Edith Bouvier, gazetare franceze e caktuar të mbuloj situatën në Siri. Jam këtu me një grup gazetarësh të tjerë. Disa prej nesh u plagosën të mërkurën kur mbetën të vrarë Marie Colvin dhe Remi Ochlik. Unë kam femurin të thyer në të gjithë gjatësinë e tij. Kam nevojë urgjente për operacion. Mjekët këtu po na trajtojnë shumë mirë, ata bëjnë cfarë munden. Por operacione nuk bëjnë dot”, deklaroi e shtrirë para një kamere Edith Bouvier, gazetare franceze.
Fotografi britanik Paul Conroy, i plagosur po gjatë të njëjtit sulm, falënderoi stafin mjekësor të Ushtrisë së Lirë siriane për kujdesin e treguar. Ai insistoi të tregonte se është mysafiri i tyre dhe ndihet shumë mirë, pavarësisht tre plagëve në këmbë. Ndërsa fotoreporteri francez Ëilliam Daniels e quan veten me fat që ka dalë i palënduar nga sulmi mbi qëndrën e improvizuar të medias.
“Ishte fat për mua, nuk kam pësuar asgjë, as edhe një gërvishtje. Por e rëndësishme tani është të evakuohet Editi. Sic ju tha dhe vetë, ka frakturë të dyfishtë dhe nuk mund të transportohet aq lehtë. Duhet ta nxjerrim që këtej patjetër në mënyrë që të operohet”, tha Ëilliam Daniels, fotoreporter francez.
Kushtet e gazetarëve janë tepër të vështira dhe Daniels i kërkoi autoriteteve franceze t`i ndihmojnë sa më shpejt që të mundin. Në vendin ku ata ndodhen nuk ka energji elektrike dhe ushqimet janë me kursim.
Presidenti francez Nikolas Sarkozi i përshkroi vdekjet e dy reporterëve të mërkurën “si vrasje të pastër”.
Redaktori i Marie Colvinit tek “Sunday Times”, John Uitheroy dhe aktivistë të opozitës siriane deklaruan më herët se ushtria mund të ketë përdorur teknologjinë për të diktuar vendndodhjen e gazetarëve.
Top Channel