Një fotografi që shfaq Whitney Houston në arkivolin e hapur është publikuar në kopertinën e ‘National Enquirer’. Fotoja shokuese tregon këngëtaren të vdekur, me një fustan lejla dhe me një karficë diamanti në flokë.
Revista e përjavshme amerikane shkruan me të mëdha në kopertinë: “Whitney, fotografia e fundit!”
Bëhet e ditur se fotoja është bërë në Whigham Funeral Home, në Nju Xhersi, të premten e kaluar, por nuk publikohet emri i fotoreporterit.
Reagimet në Twitter nuk kanë qenë të mira. Përdoruesit kanë kritikuar revistën që nuk po e lë të qetë këngëtaren as në botën tjetër.
Lamtumira e Whitney Houston
Më shumë sesa nga fama, funerali i Whitney Houston u rrethua nga besimi. Fituesja e 6 cmimeve Grammy, e vetmja artiste që rreshtoi njëri pas tjetrit 7 hite radhazi në vendin e parë të klasifikimeve, është kujtuar në Njuark të Nju Xhersit, pikërisht në kishën ku këndoi fëmijë përpara familjes së vet dhe të gjithe komunitetit.
Pjesëmarrës në ceremoni ishin mes të tjerësh mbretëresha e soul-it, Aretha Franklin, i madhi Stevie Wonder dhe fituesi i Academy Award, Cevin Costner. Varrimi i Whitney Houston mblodhi dhe një grup emrash të famshëm dhe kjo nuk është cudi, në fund të fundit, kishte gati 30 vjet që punonte me më të mirët.
Nga kisha e vogël e Nju Xhersit, ku këndonte muzikë fetare e luante në organo, Whitney me zërin e saj të jashtëzakonshëm do të ngrihej në statusin e një ylli, do të shndërrohej në një prej divave më të shquara të muzikës pop.
Mori 400 cmime karriere, shiti më shumë se 170 million albume në mbarë botën dhe regjistroi këngë për një nga kolonat zanore më të shitura në të gjitha kohërat në filmin, “The Bodyguard”.
Por në ceremoninë e varrimit ku pjesëmarrja ishte me ftesë, më shumë se sa fama dhe arritjet e saj, u kremtua besimi, shpresa dhe dashuria. Ky është edhe mesazhi që 1.500 personat e pranishëm morën në kishën me tulla të kuqe, ndërsa miliona të tjerë ndoqën shërbesën në televizion apo dhe në internet.
Për disa orë sot, historia e rrefyer nuk qe ajo e alkoolit, drogës dhe abuzimeve, e ngritjes në statusin e më të mires dhe shembjes në abisin e vetëshkatërrimit. Ne Njuark u kujtua vajza 11-vjecare “Nippy”, sic e quanin me përkëdheli, e cila ndoqi rrugën e së ëmës dhe këndoi në korin e kishës. U kujtua superylli Whitney, që kthehej gjithmonë për shërbesat e të dielës së pashkëve, pa i harruar kurrë rrënjët e saj, edhe pas suksesit marramendës.
Në mbrëmjen para ceremonisë, Tonny Bennet i dedikoi një këngë e u shpreh: “Kur e dëgjova për herë të parë telefonova Clive Davis dhe i thashë: më në fund ke gjetur këngëtaren më të mirë që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time”.
Top Channel