Një deputet i opozitës laburiste mësohet se është arrestuar nga policia në orët e vona të së mërkurës pas një përleshjeje fizike mes tij dhe deputetëve konservatorë në pushtet.
Eric Joyce, 51 vjeç, ka goditur me grushta disa deputetë konservatorë, mes të cilëve Stuart Andrew, të cilin e ka goditur me kokë.
Ngjarja ka ndodhur në barin e Parlamentit, “Strangers Bar”, që përdoret nga deputetët britanikë dhe të ftuarit e tyre. Gjatë përleshjes fizike janë hedhur edhe gota dhe shishe pijesh.
Deputeti është ndaluar dhe mbahet në një stacion policie në qendër të Londrës për tu marrë në pyetje. Lajmin e konfirmon edhe Scotland Yard.
Një zëdhënës i policisë tha se, “policia u thirrr në orën 10.50 të mbrëmjes për një trazirë të ndodhur në barin e Parlamentit, ku një 50-vjeçar është ndaluar me dyshimin e sulmit fizik ndaj të tjerëve”.
Deputeti Joyce është zgjedhur në Parlament që nga viti 2000 dhe ka pasur një karrierë ushtarake përpara se të hynte në politikë.
Në 2010-ën ai dha dorëheqjen nga posti i zv.ministrit të qeverisë hije për Irlandën e Veriut, pasi pranoi se ishte fajtor se nuk i kishte fryrë tubit për alkoolin, ndërkohë që i jeptë makinës dhe për të cilën u gjobit me 400 stërlina.
Sipas tabloidëve britanikë, zoti Joyce ka pasur një rekord të jashtëzakonshëm, duke kërkuar shpenzime që kapin shifrën e 200 mijë stërlinave vetëm në vitin 2010. Mbetet të shihet nëse deputeti i opozitës do paditet për akuzën e pretenduar.
Në Britani janë të shpeshta daljet përpara drejtësisë ose dënimet e deputetëve, nëse ata gjenden fajtorë për veprat penalë të ngritura kundër tyre.
Top Channel