Bërthamoret, bisedime SHBA-Kore

23/02/2012 10:20

Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut po zhvillojnë një takim në Pekin mbi programin bërthamor të Penianit, për herë të parë që nga vdekja në dhjetor e liderit koreano-verior Kim Jong il.

Amerika deklaron se dëshiron të zbulojë nëse lideri i ri, i biri Kim Jong un, ka vullnet për të diskutuar heqjen dorë nga armët bërthamore të Koresë së Veriut.

Synimi afatgjatë është rinisja e bisedimeve 6-palëshe për çarmatimin, të cilat u ndërprenë në vitin 2009.

Bisedimet do të ndiqen nga Glyn Davies, koordinatori amerikan për Korenë e Veriut, dhe Kim Kye gwan, negociatori veteran i Penianit për çështjen e armëve atomike.

Zoti Davies deklaroi se shpresonte të zbulonte më shumë mbi drejtimin që Kim Jong un ka zgjedhur për të çuar vendin e tij.

“Shpresoj që të gjejmë një mënyrë për të lëvizur përpara me Veriun, pasi është në interesin e gjithëkujt për të kaluar në fazën e ardhshme, që janë bisedimet 6-palëshe”, deklaroi Davies kur mbërriti të mërkurën në Pekin.

Koreja e Veriut ra dakord në vitin 2005 që të hiqte dorë nga ambicjet e saj bërthamore në këmbim të ndihmave dhe lidhjeve politike, si pjesë e një dialogu 6-palësh, ku përfshiheshin Koreja e Jugut, Kina, SHBA, Rusia dhe Japonia.

Por zbatimi i marrëveshjes ndaloi që në fillim dhe marrëveshja u rrëzua në vitin 2009. Koreja e Veriut kreu testin e parë të saj bërthamor në vitin 2006 dhe tjetrin në vitin 2009, pak kohë pasi braktisi paktin 6-palësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA