Vazhdojnë vrasjet në Siri

22/02/2012 00:18

Represioni në Siri vazhdon i dhunshëm, duke shtuar numrin e viktimave, që vetëm gjatë ditës së sotme mbërritën në 57, 41 prej tyre në qytetin e Homs-it.

Këtë shifër japin aktivistët e komisionit të përgjithshëm të revolucionit, një prej platformave të koordinimit kundër regjimit në vend. Për të 18-ën ditë radhazi, Homsi, e sidomos lagjia periferike Baba Amer është bombarduar egërsisht nga forcat qeveritare.

Situata është e trazuar dhe në pjesë të tjera të Sirisë. Përleshje mes besnikëve të Bashar al Asadit dhe rebelëve janë shënuar në Jabal Zaëiya, në rajonin e Idlib-it kufitar me Turqinë. Viktima ka patur edhe në zonën qëndrore të Hama-s dhe në periferi të Damaskut.
 
Një tjetër takim i liderëve arabë dhe disa udhëheqësve botërorë mbahet këtë të premte në Tunizi, dhe shqetësimi është po ai: e ardhmja e Sirisë.

Rusia, aleate kyce e regjimit të Asadit, njoftoi se nuk do të marrë pjesë. Me situaten e krijuar në terren, Kryqi i Kuq ndërkombëtar kërkoi të pakten një armëpushim prej dy orësh në ditë, kohë e cila të shfrytëzohet për kalimin e ndihmave, që është e pamundur të dërgohen ndryshe.

Breshëria e predhave e përplasur vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit mbi Homs, ka rrafshuar me tokën godina të tera. Ende nuk është e qartë megjithatë, nëse bombardimet do të jenë shenja paralajmëruese për ofensivën tokësore, së cilës banorët i druhen më shumë.   

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA