SHBA-Meksikë, marrëveshje për naftën

21/02/2012 09:00

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë rënë dakord për të punuar së bashku për xnjerrjen e naftës dhe gazit në kufirin detar të Gjirit të Meksikës.

Marrëveshja u nënshkrua në një takim të grupit G20, ku marrin pjesë vendet më të industrializuara, të mbajtur në lokalitetin meksikan Los Kabos.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi se do të garantojë zhvillimin me përgjegjshmëri të operacioneve eksploruese.

Ndërsa presidenti meksikan Felipe Calderon tha se marrëveshja do të heqë frikën e meksikanëve se nafta e tyre do të përvetësohet nga Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja, e negociuar vitin e kaluar, u nënshkrua mes zonjës Clinton dhe ministres së Jashtme meksikane Patricia Espinosa, në prani të presidentit Calderon.

Ajo i jep fund një moratoriumi për kërkimin e naftës në kufirin detar dhe i hap rrugën kompanive që të bëjnë kërkime të përbashkëta në zonat ku dyshohet se ka naftë.

“Këto rezerva mund të përmbajnë sasi të konsiderueshme, nga të cilat mund të përfitojnë si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Meksika, por këto operacione nuk e cënojnë çështjen e kufirit tonë detar. Një gjë e tillë do të hapte diskutime”, deklaroi zonja Clinton.

“Marrëveshja që ne po nënshkruajmë sot do të ndihmojë në parandalimin e mosmarrëveshjeve të tilla”, shtoi shefja e diplomacisë amerikane.

Ajo theksoi më tej se kompanitë amerikane do të bashkëpunojnë për herë të parë me kompaninë shtetërore meksikane të naftës “Pemex”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA