Shtrëngohen kreditë

19/02/2012 00:00

Të marrësh një kredi aktualisht është edhe më e vështirë se sa muaj më parë. Madje Banka e Shqipërisë parashikon se kushtet e bankave për të dhënë para borxh të paktën deri në fund të marsit do të jenë edhe më të forta.

Sipas vrojtimit të fundit të Bankës së Shqipërisë për tre muajt e fundit të vitit 2011, marrja  e kredisë ka qenë më vështirë për bizneset, vecanërisht  ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Disi më lehtë është për individë, thotë banka. Duke analizuar edhe llojin kredisë, në vrojtim thuhet se standardet që duhen plotësuar për të marrë një kredi janë shtrënguar për bizneset që kërkojnë para për kapital qarkullues, ndërsa për qëllime investimi, kredia është më e lehtë.

Ndër faktorët kryesorë që i kanë bërë bankat e nivelit të dytë të jenë më të forta në kërkesat e tyre, sipas Bankës së Shqipërisë, është rritja e kredive me probleme dhe vështirësitë specifike të sektorëve të ekonomisë.

Megjithatë edhe situata e përgjithshme ekonomike vlerësohet nga Banka e Shqipërisë si një faktor i fortë që ka shtrënguar më shumë dhënien e kredive.

Sipas vrojtimit  për individët situata është pak më mirë. Banka vëren se kushtet  për marrjen e kredive pothuajse nuk kanë ndryshuar , por ka një rënie të kërkesës,  sikundër ka ndodhur edhe me bizneset.

Por cfarë kushtesh janë ndryshuar? Banka e Shqipërisë verën se për të dhënë një kredi bankat kërkojnë  më shumë kolateral si dhe kanë rritur marzhin për kreditë me risk. Përvec të tjerash bankat kanë rritur komisionet, ndërkohë që kanë ulur madhësinë  e cdo kredie që lëvrojnë dhe madje kanë shkurtuar edhe afatet e shlyerjes së saj.

Banka e Shqipërisë parashikon se të paktën deri në fund të muajit mars, pritet që kushtet  për të marrë një kredi të jenë më të forta vecanërisht për bizneset pa bërë dallim nëse kredia kërkohet për kapital qarkulluese apo për investime.

Më të ndëshkuara pritet të jenë bizneset vogla dhe të mesme. Ndërsa për individët Banka e Shqipërisë nuk parashikon që kushtet  për të marrë një kredi të jenë më të forta.

Top Channel