Referendumi, letonezët refuzojnë gjuhën ruse

19/02/2012 10:25

Letonezët kanë refuzuar mundësinë e vendosjes së gjuhës ruse si gjuhë të dytë zyrtare të vendit pas një referendumi që u mbajt për këtë çështje.

Shumica e atyre që kanë votuar deri të shtunën nuk pranuan që rusishtja të jetë gjuhë zyrtare në Letoni. Referendumi është nismë e një lëvizjeje ruse.

Rreth 1/3 e popullsisë në Letoni janë rusë dhe kjo pjesë është ankuar gjithmonë për diskriminim, por nga ana e tyre letonezët e shohin këtë referendum si një përpjekje për të ndërhyrë në pavarësinë e vendit të tyre.

Sipas zyrtarëve letonezë, janë numëruar 90% e votave dhe deri tani rezultatet flasin qartë: 75% e popullsisë nuk dëshiron që rusishtja të jetë gjuha e dytë zyrtare e Letonisë.

Letonia ka fituar pavarësinë nga Moska në vitin 1991 pas 50 vitesh nën regjimin sovjetik. Që nga viti 2004 Letonia është anëtare e Bashkimit Europian.

Top Channel