Trupat siriane kanë kryer bombardime intensive ndaj qytetit të Homsit, një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së bëri thirrje për dhënien fund të dhunës.
Një grup i opozitës ka deklaruar se bombardimet ishin më të rëndat që kur trupat nisën të sulmonin bastionet anti-qeveritare 13 ditë më parë.
Ndërkohë, një i dërguar i qeverisë kineze pritet të takohet me presidentin Bashar al Assad. Kina dhe Rusia vendosën veton kundër rezolutës së OKB-së, por nga ana tjetër i bënë thirrje Assad që t’ia dorëzojë pushtetin zëvendësit të tij.
Dy vendet vendosën gjithashtu veton ndaj asaj që do të ishte një rezolutë detyruese e Këshillit të Sigurimit dy javë më parë.
Disa pjesë të Homsit janë goditur nga mortaja dhe raketa të qëlluara nga trupat e qeverisë siriane prej pothuajse dy javësh, në përpjekje të shpërngulur qindra rebelë të Ushtrisë Çlirimtare të Sirisë.
Ditën e premte, raketat qëlluan lagjet Baba Amr, Inshat, Bajada dhe Khaldija, kanë bërë të ditur përfaqësues të opozitës dhe të grupeve të të drejtave të njeriut.
“Bombardimet janë të vazhdueshme. Ata po përdorin raketa dhe mortaja, të cilat po bien mbi shtëpitë e qytetarëve”, ka deklaruar për BBC, Abu Abdah, banor i qytetit.
“Dëmet janë shumë të mëdha dhe qyteti është izoluar. Ne nuk kemi mbështetje dhe kemi mungesë ushqimesh dhe ilaçesh”, ka deklaruar Hadi Abdulla, nga radhët e Komisionit të Përgjithshëm të Revolucionit Sirian.
“Është një dhunë e pabesueshme dhe ekstreme të cilën nuk e kemi parë kurrë më parë, me sulme me nga katër raketa në minutë”, ka shtuar ai në një prononcim për “AFP”.
Top Channel