Qeveria hungareze i ka dërguar Komisionit Evropian një letër përmes të cilës i ka kthyer përgjigje kundërshtimeve dhe vëzhgimeve të ekzekutivit evropian.
Lajmi bëhet i ditur nga Brukseli. Letra ka ardhur pasi KE paralajmëroi për shkeljen e tre proçedurave nga modifikimi i Kushtetutës dhe ligjeve mbi drejtësinë dhe mediat.
Muajin e kaluar kryetari i Parlamentit Europian, Martin Schulz i lëshoi një paralajmërim kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, të cilit i tha se nuk duhet të mendojë që liderët e BE-së janë “budallenj” dhe se mund të mashtrohen lehtë.
Sipas Schulz, Orban nuk duhet të mendojë se “mund t’ia hedhë duke thënë një gjë tjetër në Bruksel dhe një gjë tjetër në Budapest”.
Deklarata e Schulz erdhi pasi, pavarësisht se kryeministri Orban u zmbraps përballë europarlamentarëve në Strasburg, në Budapest ai vazhdoi t’i bënte rezistencë kërkesave të Komisionit Europian për të paktën një prej tre ligjeve të kontestuara.
Duke përcjellë qëndrimin e qeverisë hungareze, zëdhënësi i saj Andras Giro-Szasz këmbënguli të tregonte se Budapesti nuk pajtohej me ekzekutivin e bllokut përsa i takon moshës së pensionit për gjykatësit.
“Komisioni gabon rëndë kur uljen e moshës nga 70 në 62 vjeç e konsideron si tërheqje të parakohshme nga puna. Ai duhet ta dijë se 62 vjeç është sot mosha e përgjithshme e daljes në pension”, tha Szasz.
Top Channel