Kameron: Jo pavarësisë së Skocisë

17/02/2012 01:00

Skocezve do t’u ofrohen më shumë kompetenca dhe sovrantititet nga Londra, ka premtuar Kryeministri britanik Dejvid Kemeren, vetëm nëse Skocia voton kundër pavarësisë në referendum.

Ai e deklaroi këtë pas takimeve kokë më kokë me Ministrin e Parë të Skocisë, Aleks Salmond në Edinburg.

Salmond, i cili është faktikisht Kryeministri i Skocisë kërkon zhvillimin e një referendumi për t’i dhënë fund bashkimit politik dhe ekonomik 300 vjecar mes Skocisë dhe Anglisë, e cila së bashku me Uellsin dhe Irlandën e Veriut përbëjnë Britaninë e Madhe.

Londra zyrtare është kundër zhvillimit të refendumit, por kryeministri britanik ka premtuar se do të ofrojë më shumë sovranitet për Skocinë vetëm pas referendumit. Nacionalistët skocezë kërkojnë mbajtjen e refendumit i cili pritet të zhvillohet në vjeshtën e vitit 2014.

Sipas kryeministrit skocez dhjetëra mijëra vende pune do të krijohen në bazë të planeve të tij për “rindustrializimin” e Skocisë dhe investimeve nga të ardhurat nga nafta e nxjerrë në Detin e Veriut.

Por kryeministri britanik tha se do të kishte implikime për antarësimin e Britanisë në BE dhe NATO nga rezultati negativ i referendumit në Skoci.

Sipas Dejvid Kameron “si një vend i pavarur Skocia do të kishte avantazhet e naftës së Detit të Veriut, por disavantazhet e një sistemi bankar kompleks, ndërkohë do të kishte kosto edhe për pensionet dhe ndihmat sociale.

Ndër pasojat ai përmendi vendin e Britanisë në Këshillin e Sigurimit apo edhe të ardhmen e forcave të armatosura, funksionimin e BBC, Shërbimin Shëndetësor Kombëtar dhe armët bërthamore të Britanisë të vendosura në Skoci .

Sakaq ka tre aspekte të mosmarrëveshjes për mënyrën e kryerjes së referendumit:  koha kur do të zhvillohet,  kush do të votojë dhe numri i pyetjeve që do vendosen në fletët e votimit.

Mbetet të shihet se si do të votojnë skocezet. A do të preferojnë ata të jenë më vete në një Evrope gjithnjë e më të trazuar apo të bashkuar në një union edhe pse jo perfekt, por funksionues në këta 300 vjetët e fundit?

Top Channel