Një avion i vogël që shkeli hapësirën ajrore presidenciale në Los Anxhelos është kapur me 18 kilogramë marijuanë në bord.
Avioni tip “Cessna” u lokalizua nga dy avionë luftarakë “F-16”, pasi hyri në hapësirën ajrore të kufizuar përreth helikopterit të presidentit Barack Obama.
Ai u detyrua të ulej nga avionët luftarakë në aeroportin Long Beach, ku nga kontrollet e kryera iu gjet dhe sasia e drogës që po transportonte.
Lidhur me lajmin kanë reaguar shërbimet sekrete amerikane që kujdesen për sigurinë e presidentit të Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë deklaruar se zoti Obama nuk ka qenë kurrë në rrezik.
Autoriteti i Aviacionit Federal njoftoi pilotët se një zonë prej 13 kilometrash mbi Los Anxhelos ishte e bllokuar për të gjitha fluturimet ditën e enjte dhe të gjithë u habitën kur në radar u shfaq avioni i tepërt.
Zoti Obama po përdorte helikopterin e Shtëpisë së Bardhë, “Marine One”, për të arritur në lokalitetin bregdetar Corona Del Mar, për një eveniment.
Autoritetet e aviacionit amerikan refuzuan të saktësonin se sa afër helikopterit ishte avioni “Cessna”, por gazetarë që po fluturonin me një tjetër helikopterë pranë atij të presidentit thanë se nuk panë asnjë shenjë të tij.
Agjencia e lajmeve “Reuters” ka cituar zëdhënësin e shërbimeve sekrete që thotë se piloti nuk kishte asnjë synim për t’i bërë keq presidentit kur u morr në pyetje nga autoritetet, të cilat ia dorëzuan institucioneve ligjore.
Top Channel