Amanda Knox ka siguruar 4 milionë dollarë. Pas një lufte të ashpër mes shtëpive më të mëdha botuese amerikane, vajza nga Siatëll ka arritur të fitojë shumën nga shitja e të drejtave mbi kujtimet e saj në burg.
Fituese e garës ka dalë “Harper Collins”, bën të ditur edicioni online i “New York Times”, që citon burime pjesëmarrëse në negociatat tejet të vështira.
Deri para pak ditësh qarkullonin zëra se vajza do të fitonte vetëm 600 mijë dollarë, por më pas numri i pretendentëve u rrit dhe çmimi final arriti shumën marramendëse.
Tani që marrëveshja u arrit, vajza e akuzuar dhe më pas e shfajësuar për vrasjen e shoqes së saj Meredith Kercher, është gati të shkruajë të zezë mbi të bardhë historinë e saj me drejtësinë.
Gjatë qëndrimit në burg, Amanda ka mbajtur një ditar shumë të përpiktë, që me siguri do të jetë dhe burimi kryesor i librit voluminoz.
Për të arritur marrëveshjen më të mirë, Amanda muaj më parë kishte rekrutuar si agjent letrar Robert Barnett, një mit i sektorit, që në karrierën e tij ka negociuar të drejtat për kujtimet e personazheve të kalibrit të Barack Obama, Bill Clinton, George W. Bush e shumë të tjerë.
“Të gjithë dashurohen me të”, ka deklaruar drejtuesja e një shtëpie botuese pasi ka folur kokë më kokë me Amanda Knox, e cila pas lirimit nga burgu në Itali u kthye menjëherë në SHBA.
Top Channel