Troket kriza energjitike

14/02/2012 00:00

Shqipëria po kërcënohet nga kriza energjetike pasi moti i keq që ka
përfshirë Ballkanin ka nxjerrë jashtë funksionit tregun e energjisë.

Bullgaria dhe Rumania, dy prodhuesit më të mëdhenj kanë ndaluar totalisht eksportin, ndërsa Serbia dhe Maqedonia nuk lejojnë më transmetimin e energjisë nga rrjetet e tyre. Për shkak të këtyre masave drastike, çmimi i energjisë ka arritur nivelet maksimale, 100 euro për mega.

Por ky tani eshte problemi më i vogël. Mbyllja e rrjeteve të transmetimit e bën gati të pamundur që Shqipëria të marrë energji nga jashtë edhe me çmime të larta. Në janar KESH-i mundi të blejë vetëm 40 për qind të energjisë që kërkonte nga importi, ndërsa në shkurt nuk arriti të blejë dot asnjë kilovat, pasi nuk pati oferta.

Shqipëria importon per momentin rreth 12 milionë kilovat orë në ditë, pjesa me madhe e kontraktuara nga CEZ. Por të dy kompanitë si CEZ ashtu dhe KESH kanë kontrata që garantojnë importin deri në fundit të muajit. Nëse reshjet e debores zgjatin dhe tregu mbetet i mbyllur atëherë Shqipëria mund të përballet me ndërprerje energjie. Kjo pasi rezervat hidrike në vend janë në minimum. Niveli i ujit në Fierzë është vetëm 259 metra dhe vazhdon të ulet, sepse KESH po detyrohet të prodhojë me ritme të larta, për të kompesuar mungesën e importit.

KESH dhe emergjencat “hanë” fondin rezervë

Edhe nëse moti do të përmirësohet dhe tregu rajonal rikthehet në normalitet, Shqipëria sërish do vuajë pasojat e krizës energjetike, këtë herë në planin financiar. Si asnjëherë tjetër më parë, qeveria u detyrua të ekzekutojë fondin e kontigjencës që në muajin shkurt, vetëm dy muaj pas miratimit të buxhetit, duke i dhënë korporatës 2 miliardë lekë për të blerë energji.

Por këto para do të përdoren për të paguar faturat e dhjetorit dhe janarit, dhe ende nuk ka fonde per muajt ne vijim. Në kushtet kur vendi po përballet me një tjetër krizë, atë të fatkeqësisë që ka shkaktuar moti i keq, qeveria do të jetë e detyruar të jap fonde të tjera nga buxheti për të ndihmuar banorët në zonat e bllokuara.
Në total fondi i kontigjencës për këtë vit ishte vetëm 4.7 miliardë lekë, prej të cilave 2 miliardë u shpenzuan për të ndihmuar KESH-in.

Qeveria ende nuk ka një faturë paraprake të kostos së krijuar nga moti i keq. Por së bashku me faturën e lartë të importit të energjisë, gjasat janë që fondi rezervë të mos mjaftojë, çka do e detyronte qeverinë të rishikonte me urgjencë buxhetin. Edhe sikur bora te shkrije shpejt dhe basenet e hidrocentraleve te fillojne te mbushen KESH serish do te duhet te importoje energjie per te mbajtur nje rezerve te mjaftueshme per stinen e veres qe ka treguara keto vitet e fundit se eshte e thate dhe e nxehte.

Top Channel