Ekspertët: Pas borës, rrezik përmbytjet

14/02/2012 00:00

Ekspertët e Qendrës Kombëtare të Parashikimit dhe Monitorimit të
Rreziqeve në vend parashikojnë, se temperaturat e ulëta dhe reshjet e
dëborës do të vijojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, në pjesën veriore
dhe juglindore të vendit.

Aktualisht situata në basenin e lumit të Drinit paraqitet normale. Probleme do te kete vetem nëse perballemi me rritje të menjehershme të temperaturave. Ky ndryshim i klimës do të sillte shkrirje të menjëhershme e dëbores,që ka rënë në tërë pellgun ujëmbledhës të Drinit, çka do të sillte edhe shkarkime të mëdha uji.

“Në këtë moment prurjet janë nën mesataren shumëvjeçare. Nuk mund të themi se është një situatë e rrezikshme, por gjithësesi të gjitha prurjet apo situata të tjera të rrezikshme janë të varura shumë nga temperaturat. Kryesisht temperaturat do të jenë mjaft të ulëta deri në mesin e javës së ardhshme, gjë që me një siguri të caktuar mund të themi se kjo periudhë nuk do të ketë ndonjë rrezik të konsiderueshëm për përmbytje në pjesën e Ultësirës së Shkodrës”, thotë Klodian Zaimi, profesor i hidrologjisë.

Lumi Drin ka një pellg ujëmbledhës që shtrihet në malësitë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Një sipërfaqe e madhe është sot e mbuluar nga një shtresë dëbore, mesatarisht deri në një metër. Megjithatë specialistët shpresojnë që shkrirja e dëborës të kompensojë së pari zbrazëtinë që ka shkaktuar në basen, një verë dhe një vjeshtë e thatë.

Top Channel