Argjentina, bllokadë anijeve britanike

14/02/2012 17:55

Sindikata e punëtorëve të transportit në Argjentinë, e cila përfshin edhe punonjësit e porteve, lajmëroi se nuk do të lejojë asnjë mjet lundrues që mban flamurin e Britanisë që të ankorohet në portet e vendit.

Ndonëse një bllokadë jozyrtare, ajo nuk është kundërshtuar nga Buenos Airesi, duke thelluar kështu hendekun në marrëdhëniet gjithmonë të ndërlikuara anglo-argjentinase, për shkak të mosmarrëveshjes rreth sovranitit të ishujve Falklands.

Më parë gjatë janarit, Argjentina u mbështet nga Brazili, Kili dhe Uruguai, në ndalimin e hyrjes në porte të të gjitha anijeve që mbanin flamurin e ishujve, të njohur në spanjisht si Malvinas.

Përkeqësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve midis dy shteteve detyroi Londrën që të dërgonte në fillim të shkurtit një kryqëzor të rëndë, shoqëruar nga Princi William, në territorin e debatuar.

Buenos Airesi zyrtar dërgoi një notë proteste ndaj “militarizimit të kufinjve të tij”, duke qenë se ishujt ndodhen pranë brigjeve, por Anglia u përgjigj se është e drejta e saj të fortifikojë sipas dëshirës territoret e saj, në bazë të parimit ndërkombëtar të sovranitetit.

Presidentja Cristina Fernandez de Kirchner ka kërcënuar me kërkesën për të diskutuar përkatësinë e ishujve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndonëse Britania atje zotëron të drejtën e vetos dhe mundësinë që të rrëzojë e vetme çdo nismë.

Përshkallëzimi i tensioneve vjen në 30 vjetorin e Luftës së Falklands. Në vitin 1982, një regjim ushtarak argjentinas pushtoi ishujt, por qeveria e Margaret Thatcher reagoi ashpër, duke ripushtuar territorin, në një luftë që i kushtoi jetën rreth një mijë ushtarëve dhe civilëve së bashku.

Kryetari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban ki-Moon, i adresoi gjatë javës së shkuar një thirrje të dy vendeve, që të kontrollojnë tensionet nëpërmjet dialogut diplomatik.

Top Channel