SHBA, ringjallet tregu i shtëpive

10/02/2012 00:05

Pesë prej bankave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje me vlerë 25 miliardë dollarë, të cilën për presidentin Barak Obama e përshkroi si hap gjigand përpara drejt ringjalljes së tregut të shtëpive.

Ky pakt tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, do t’i japë fund një periudhë papërgjegjshmërie dhe atyre që i përshkroi si praktikat më abuzive të hipotekimit.
 
“Me këtë lëvizje, do të fillojmë të kthejmë faqen e një epoke moskokëcarjeje dhe pakujdesie, që boll dëme ka shkaktuar deri tani. Njeriu këtu punon dhe kursen gjithë jetën për të blerë një shtëpi. Dhe personi që firmos dokumentin nuk gjente kohen as të sigurohej se procesi ishte i ligjshëm. Këto praktika ishin ilegjitime dhe ne refuzojmë t`i lemë pa përgjigje”, tha Obama.

Me vulosjen e paktit, bankat ranë dakord të shkurtojnë borxhin e disa pronarëve të shtëpive, duke u lejuar atyre të rifinancojnë huatë me përqindje më të ulëta të interesit dhe do të kompensojë të tjerët që janë përballur me humbjen e shtëpive.

U deshën 16 muaj bisedime mes zyrtarëve të lartë federalë dhe atyre shtetërorë dhe 5 bankave më të mëdha për arritjen e ujdisë. Marrëveshja zgjidh ankesat e shumta të popullatës civile lidhur me mënyrën se si huadhënësit morrën në pronësi mijëra shtëpi gjatë krizës financiare.

Top Channel