Është “telenovela” e verës: Mario Balotelli, Raffaella Fico dhe fëmija që pritet të lindë. Të martën ka ardhur seria e radhës, me “regji” të Ficos.
“Këtë fëmijë e dua me gjithë zemër sepse nuk është një fëmijë që vjen rastësisht, por fryt i dashurisë së dy njerëzve dhe ti (drejtuar Balotelli-t) e di mirë se për çfarë po flas”, lexohet në letrën e hapur që Rafaella Fico i shkruan ish të dashurit të saj, futbollistit të famshëm italian me origjinë ganeze.
“Kjo është e vetmja mënyrë që kam për të folur me ty. Do e bëj testin e ADN-së. Dua të them edhe diçka tjetër: i ruaj ende mesazhet që më ke dërguar kur ishe në Krakovë dhe ku më thoje se sa i lumtur ishe për lajmin që të dhashë. Edhe pse rrethanat e jetës na kanë ndarë, ti do të jesh një baba i pranishëm dhe i përgjegjshëm”, shton Fico.
Letra mbyllet me këto fjalë: “Ti e di mirë se ku të më gjesh, unë do të jem gjithmonë e disponueshme për të folur me ty për të ardhmen e fëmijës tënd, e fëmijës sonë.”
Ndërsa vetë Mario Balotelli ishte shprehur disa ditë më parë mbi këtë çështje: “Do të marr përsipër të gjitha përgjegjësitë e mia kur të kem provat se unë jam babai i fëmijës.”
“Edhe pse do të preferoja mos të flisja publikisht për jetën time private, jam i detyruar të ndërhyj për të sqaruar marrëdhënien time me Raffaella Fico. Kjo marrëdhënie ka mbaruar në fillim të prillit dhe që atëherë nuk kemi folur më me njëri-tjetrin. Raffaella e di mirë se unë nuk kam ndërmend t’i kthehem asaj historie”, shton 21-vjeçari, i cili shton se do të marrë mbi shpatulla të gjitha përgjegjësitë kur të ketë provat e mjaftueshme se fëmija është i tij.
Top Channel