Ki Moon, apel për ishujt Falkland

10/02/2012 18:40

Shefi i OKB-së, Ban Ki Moon i ka bërë thirrje Argjentinës dhe Britanisë së Madhe që të shmangin përshkallëzimin e tensioneve lidhur me çështjen e ishujve Falkland.

Apeli i tij vjen pasi ministri i Jashtëm argjentinas paraqiti një ankesë në Kombet e Bashkuara për “militarizimin” e Atlantikut jugor nga Mbretëria e Bashkuar.

Muajin e kaluar Britania deklaroi se do të dërgonte një njësi të re të Marinës Mbretërore në rajon. Dy vendet zhvilluan një luftë në vitin 1982 lidhur me kolonializimin britanik përtej detit.

Zyra e Ki Moon u shpreh në një deklaratë për shtyp se, “sekretari i përgjithshëm shpreson se qeveritë argjentinase dhe britanike do ta shmangin përshkallëzimin e konfliktit dhe do ta zgjidhin atë në rrugë paqësore”.

Mbretëria e Bashkuar deklaron se vetëm se po kryen operacione ushtarake rutinë në jug të Atlantikut, në bregun lindor të Argjentinës. Statusi i ishujve, të njohur në Argjentinë me emrin Malvina, përbën ende një çështje e ndjeshme për Buenos Airesin.

Në dhjetor, Mercosur, një bllok amerikan i tregtisë, mbylli portet e tij për anijet që niseshin me flamurin e ishujve Falkland. Tensionet mes dy vendeve vijnë në prag të 30 vjetorit të pushtimit të ishujve argjentinas në prill.

Muajin e kaluar presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner dënoi deklaratën e mëhershme të kryeministrit britanik se, qeveria e saj po sillej si një kolonialiste lidhur me cështjen e ishujve Falkland.

Ndërsa një grup protestuesish marshuan përpara ambasadës britanike në Buenos Aires, duke djegur flamurin e Mbretërisë së Bashkuar dhe duke kërkuar ashpërsimin e marrëdhënieve diplomatike me Londrën.

“Fernandez de Krichner, putanë”

Dhe sikur të mos mjaftonte gjuha tejet e tendosur diplomatike mes Bueons Aires dhe Londrës, është gazeta e përditëshme në ishujt Falkland ajo që mendon t’i hedhë benzinë zjarrit.

Në një shkrim në edicionin online, gazeta “Penguin News” publikoi një shkrim për presidenten argjentinase ku në foton ilustruese të lajmit shkruhej “putanë” (Bitch ang.).

Lajmi qendroi vetëm pak minuta online dhe u hoq menjëherë nga redaksia e gazetës, megjithatë kaq mjaftoi që në adresë të faqes së “Penguin News” në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook të vërshonin komentet dhe e-mail të nisura nga mijëra argjentinas “të xhindosur”.
 

Top Channel