Deputeti Kristian-Demokrat në parlamentin gjerman, Roderich Kiesewetter, raportues i CDU-së për Shqipërinë, është zëri më i fundit ndërkombëtar që shprehet i befasuar nga shpallja e pafajësisë se ish-Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta.
Gjykatat nuk morën një vendim të kuptueshem, tha Kiesewetter në një intervistë për “Deutsche Welle” ku preken shumë aspekte të peisazhit politik shqiptar, por çështjes “Meta” i rezervohet një fokus i veçantë.
“Njerëzit prisnin që ai të dënohej dhe nuk kuptohet përse gjykatat morën një vendim të tillë. Pyetja që lind këtu është: a kemi të bëjmë me një proçes të realizuar në përputhje me ligjet dhe drejtësinë? Për këtë ka dyshime të mëdha, të cilat gjykatat nuk arritën t’i davarisin. Kur ka dyshime, nuk ka besim dhe gjyqësori duhet të gëzojë më shumë besim në popull. Kjo vlen edhe për hetimet e 21 Janarit”, thotë politikani gjerman.
“Nuk është sqaruar ende se cilët janë autorët e vërtetë. Këtu duhet punuar bashkarisht për të vënë drejtësinë në vend. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë më kurrë, por ajo nuk duhet mbuluar. Njerëz që e njohin situatën juridike në Shqipëri thonë se është krijuar përshtypja se ka një drejtësi për disa politikanë të përzgjedhur dhe një tjetër për shqiptarët e thjeshtë. Para ligjit dhe drejtësisë të gjithë duhet të jenë njësoj. Pra, edhe këtu ka shumë dyshime. Dhe për sa kohë që ka dyshime, duhet punuar për heqjen e tyre”, nënvizon ai.
Ky është përfundimi që nxjerr raportuesi gjerman, i cili vlerëson arritjet e Shqipërisë gjatë 20-vjeçarit të fundit, duke theksuar si rëndom tashmë se ka ende shumë hapa për të bërë. Se cilat janë sfidat e zgjerimit, kjo është e qartë tashmë: të luftohet korrupsioni në shoqërinë shqiptare, të luftohet krimi i organizuar dhe të sundojë shteti juridik, si në gjyqësi ashtu edhe në shëndetësi, që dikush të mos shkojë të blejë shërbimin shëndetësor dhe që proçeset gjyqësore të mos influencohen nga asgjë tjetër, veç normave juridike.
Top Channel