Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve me seli në Bruksel deklaroi se gjobat e larta ndaj gazetarisë hulumtuese përbëjnë një sulm madhor ndaj lirisë së shtypit.
Stephen Pearse, zëvëndës sekretar i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, njëkohësisht shefi i Federatës Europiane të Gazetarëve, thotë se hulumtimi i çështjes “Pango” nga “Fiks Fare” përbën një rast të qartë të gazetarisë investigative në mbrojtje të interesit publik.
“Kemi të bëjmë qartësisht me një mbrojtje të rëndësishme të interesit publik, duke garantuar që ne si gazetarë mund ta vëmë pushtetin para llogaridhënies. Dhe ndonjëherë është e nevojshme të përdoren një mori mjetesh të ndryshme për të garantuar se ata njerëz që mbajnë postin zyrtar, po e përdorin atë siç duhet dhe po sillen në përputhje të standarteve më të larta të etikës. Pra, në këtë rast, sipas meje, kemi të bëjmë qartësisht me mbrojtjen e interesit publik”, deklaron Pearse.
Shqetësimi që shumë gazetarë do të kenë rreth këtij rasti janë gjobat tepër të kripura të cilat qartësisht çojnë në vetëçensurim apo që mund të frikësojnë gazetarët duke parandaluar organizatat e mediave të bëjnë atë lloj gazetarie hulumtuese të rëndësishme për interesin e publikut, gjë kjo jetësore për ç’do demokraci.
“Sigurisht që ne do të na shqetësonte shumë vendosja e gjobave tepër të larta të cilat do të parandalonin gazetarët në kërkimin e historive të rëndësishme për interesin publik. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që të garantohet se gazetarët janë të lirë për të hulumtuar mbi personat që mbajnë një post shtetëror. Është jetësore që ligji, ne cilëndo formë të jetë hartuar, të mos parandalojë gazetarinë hulumtuese për interesin e vërtetë të publikut. Ne do të kemi shqetësime shumë serioze nëse gjobat e larta do të pengojnë gazetarët të bëjnë këtë lloj pune dhe unë mendoj se ky përbën një sulm madhor ndaj lirisë së shtypit”, nënvizon Pearse.
TCH: Në dijeninë tuaj, si është situata në vendet europiane, a ekzistojnë këto nivele gjobash ndaj gazetarëve që përdorin kamera të fshehta?
“Situata ndryshon nga një vend në tjetrin, por e drejta e gazetarit për të qenë i aftë të veprojë për interesin publik njihet në ligjet europiane dhe në Konventën europiane të të drejtave të njeriut, ku flitet për lirinë e shprehjes. Legjislacioni kombëtar nuk duhet të marrë qëndrime që parandalojnë lirinë e shprehjes, veçanërisht në ato ato raste ku interesi publik është shumë i fortë dhe ku gazetarët i këkojnë pushtetit llogari”, thotë Pearse.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimin e procesit gjyqësor kundër TCH. Edhe Shoqëria e Televizioneve Komerciale Europiane deklaroi më herët se gjoba e vendosur nga gjykata ndaj Top Channel pas publikimit të video-skandalit me ish-ministrin Ylli Pango, sjell një efekt drithërues për lirinë e shprehjes dhe medias.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel