Argjentina, në OKB për ishujt Falklands

08/02/2012 16:00

Argjentina do të parashtrojë një ankesë zyrtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për zhvendosjen e forcave të mëdha ushtarake britanike në ishujt Falkland, nën sovranitetin britanik, por të pretenduar edhe nga vendi i madh i Amerikës Jugore.

Presidentja Cristina Fernandez de Kirchner lajmëroi për këtë masë të Buenos Airesit zyrtar gjatë të mërkurës, në një takim me veteranët e luftës së vitit 1982, kur Argjentina pushtoi ishujt, për t’u tërhequr brenda disa javësh pas ndërhyrjes së flotës britanike.

Tensionet midis dy vendeve janë përshkallëzuar në javët e fundit dhe si rrjedhojë, Londra dërgoi në janar një destrojer pranë Falklands, ishuj të njohur nga argjentinasit si Malvinas.

Në dhjetor, Mercosur, një bllok tregëtar amerikanojugor, vendosi për mbylljen e të gjitha porteve për anijet që lundrojnë me flamurin e ishujve.

Britania u kundërpërgjigj me dërgimin në rajon të destrojerit të rëndë “HMS Dauntness”, një prej fjalëve të fundit të teknologjisë së marinës angleze. Princi William, pretendenti i dytë për fronin, gjithashtu është dërguar në Falklands, si pilot helikopteri për misione shpëtimi.

Ndonëse Argjentina do të përpiqet të ndërkombëtarizojë çështjen duke dërguar ankesën e saj në OKB, Buenos Airesi e di që niset i disavantazhuar, pasi Britania ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe gëzon të drejtë vetoje.

Megjithatë, Kirchner i konsideroi lëvizjet e superfuqisë europiane si një “provokim”, ndërsa theksoi se nuk ka nevoja për të militarizuar në kohë paqeje një ishull që ndodhet vetëm dhjetëra kilometra nga brigjet argjentinase.

Në kundërpërgjigje, Ministria e Jashtme Britanike theksoi se “banorët e Falklands kanë vendosur të jenë britanikë me zgjedhje të lirë, prandaj nuk kemi ndërmend të hyjmë në një asnjë diskutim për të drejtën e sovranitetit të kësaj toke, përsa kohë banorët do të vazhdojnë të konsiderohen britanikë”.

Në çështjen argjentinase, vende të tjera amerikanojugore si Brazili, Uruguaj dhe Kili kanë shprehur mbështetjen e tyre të fortë.

Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810 dhe “Malvinas” ishin pjesë e territorit të pavarur deri në vitin 1833, kur ishujt u pushtuan nga Britania, të cilës i kanë përkitur që prej atëherë.

Top Channel