Breivik: Meritoj medaljen e nderit

06/02/2012 17:10

Anders Behring Breivik, i cili e ka pranuar autorësinë e masakrës së 22 korrikut të kaluar në Norvegji, ku mbetën të vrarë 77 persona, do të mbetet në burg deri në fillim të proçesit, i caktuar për më 16 prill.

Kështu ka vendosur gjyqtari Wenche Gjelsten, në një seancë në gjykatën e qarkut të Oslos, bëjnë të ditur agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

Nëse do të dënohet për terrorizëm, 32-vjecari rrezikon 21 vjet burg, por mund të transferohet në një qendër psikiatrie.

Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë do t’u jepet të drejtë ekspertëve, sipas të cilëve, në momentin e masakrës i riu nuk ishte i aftë mendërisht.

Aktualisht po kryhet një kontroll i dytë mjekësor, por autori i masakrës refuzon të bashkëpunojë me mjekët. Breivik ka deklaruar në gjykatë se meriton medaljen e nderit për masakrën dhe ka kërkuar që të lirohet menjëherë.

Sapo ka hyrë në gjykatë, 32-vjeçari ka qeshur duke treguar duart e prangosura, një gjest ky i konsideruar nga avokati i tij Geir Lippestad si një lloj përshëndetjeje për ekstremistët e djathtë.

Autori i tragjedisë më të rëndë të ndodhur ndonjëherë në Norvegji më tej ka nisur të lexojë përmbajtjen e një letre të nxjerrë nga xhepi.

“Sulmi i korrikut donte të godiste tradhtarët që mbështesin emigracionin dhe promovojnë kolonizimin islamik të Norvegjisë”, ka deklaruar Breivik.

Top Channel